Sport

Kim Rhode synon medaljen e shtatë olimpike në shtatë paraqitje

Descriptive Text

Në vitin 2016, qitësja amerikane Kimberly Rhode arriti një gjë të paprecedentë, duke fituar medalje në gjashtë edicione rresht të Lojërave Olimpike, seri që nisi nga triumfi në "Atlanta 1996", në moshën 17-vjeçare. Dhe 40-vjeçarja nuk e ka ndërmend të ndalet.

Ajo po shënjestron medaljen e shtatë rresht në Lojërat Olimpike të vitit 2020 në Tokio dhe po shikon edhe përtej kësaj, synimi përfundimtar është triumfi në Los Angeles në vitin 2028, përcjell Koha Ditore shkrimin e Olympic.org.

"Ka qenë e jashtëzakonshme, kam kaluar nëpër aq shumë Lojëra Pan-Amerikane. Të parat ishin në vitin 1995 në Argjentinë. E këto janë të shtatat. Ka qenë rrugëtim i jashtëzakonshëm dhe nuk kam mundur të jem më e lumtur, veçanërisht që ia kam sjellë të artën SHBA-së. Synimi im është të mos ndalem dhe të vazhdoj të shtoj medaljet. Mezi po pres për Lojërat Olimpike në Tokio vitin e ardhshëm. Të shkoj për atë rekord, medalje në shtatë edicione, definitivisht që shton një element të presionit, por në të njëjtën kohë jam edhe e entuziazmuar. Të shohim se çfarë do të ndodhë dhe shpresoj t’i bëj të gjithë krenarë", ka thënë Rhode më 3 gusht të këtij viti në Lima të Perusë, kur fitoi titullin në Lojërat Pan-Amerikane në disiplinën e njohur si "skeet" për herë të tretë rresht, duke dëshmuar sërish një saktësi më të madhe se rivalet në një disiplinë ku qitësi qëndron në një pozitë fikse dhe godet shënjestrat lëvizëse.

Ka kuotë për të arritur për këtë disiplinë për Lojëra Olimpike në Tokio, por kjo më nuk është çështje për qitësen 40-vjeçare nga Kalifornia. Rhode ka siguruar vendin e saj në skuadrën e SHBA-së, duke fituar të argjendtën në Botërorin 2018 në shtator në Changwon të Koresë së Jugut.

Ajo do të jetë në Tokio përkrah bashkëkombëses Caitlin Connor, që fitoi të artën.

Ligë në vete

Në vitin 2019, para Lojërave Pan-Amerikane, Rhode fitoi hiç më pak se tri gara në programin e Kupës së Botës të Federatës Ndërkombëtare të Shenjëtarisë.

Fitoi në mars në Acapulco të Meksikës, në prill në Al Ain të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe në maj në Changwon. Triumfi në Changwon ishte i 21-i i saj në gara të Kupës së Botës. Në atë garë, qëlloi 122 nga 125 shënjestrat në kualifikime dhe 57 nga 60 në finale....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)