Sport

Dallku ka rastin ta shuajë merakun e titullit

Armend Dallku nuk e sheh veten si trajner të përkohshëm te Prishtina, por synon që me punë dhe rezultate të mbetet në këtë post deri në fund të edicionit për ta përmbushur misionin që nuk e arriti derisa ishte futbollist i këtij ekipi, ta fitojë titullin e kampionit.

Dallku, të dielën mbrëma debutoi si trajner i ekipit të parë të Prishtinës dhe qysh në ndeshjen e parë shënoi fitore kundër Gjilanit (2:1). Në postin e trajnerit, papritmas një ditë para këtij dueli derbi zëvendësoi Bylbyl Sokolin që u largua për shkaqe shëndetësore. Ai për ndeshjen me Gjilanin mbajti vetëm një stërvitje dhe arriti të shënojë fitore. U vlerësua se solli ndryshime në lojë, shkruan sot Koha Ditore.

Në fakt, për Dallkun kjo ishte fitorja e dytë si trajner kundër Gjilanit brenda dy ditësh. Ai Gjilanin e kishte mposhtur me rezultatin identik edhe me juniorët, meqë pas tërheqjes nga futbolli aktiv ishte angazhuar si trajner i kësaj gjenerate te Prishtina. Dallku mori drejtimin e ekipit të parë të Prishtinës vetëm dy muaj pas tërheqjes nga futbolli aktiv.

 (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)