Sport

Transformimi i futbollit francez nis me Nicen

Ineos, një grup energjetik i udhëhequr nga miliarderi britanik Jim Ratcliffe, së fundi bleu ekipin nga Ligue 1, Nice prej pronarëve të tij të mëparshëm kinezo-amerikanë në një marrëveshje me vlerë mes 100 dhe 120 milionë euro.

Çmimi përfundimtar i kësaj marrëveshjeje është më i madh se 79 milionë eurot e shpenzuara nga familja mbretërore e Katarit për të blerë PSG-në në korrik të vitit 2011 ose 45 milionë eurot e paguara nga biznesmeni amerikan Frank McCourt për blerjen e Marseilles në shtator të vitit 2016, transmeton Koha Ditore shkrimin e DW.

Në mesin e sipërmarrjeve të tjera sportive të miliarderit Ratcliffe janë edhe ekipi i futbollit nga Zvicra, Lausanne Sport dhe ekipi i çiklizmit "Team Ineos", që më parë njihej si "Team Sky".

"Ne kemi analizuar një numër klubesh, në përputhje me vizionin tonë të biznesit në Ineos - sa u përket vlerës dhe potencialit - dhe Nice korrespondon me këto kritere", tha Ratcliffe. "Ne kemi bërë disa gabime me Lausannen, por e morëm mësimin shpejt, pasi ato i korrigjuam dhe tashmë po i shohim rezultatet".

Ratcliffe tha se synimi i tij është që Nicen ta shndërrojë në një ekip që paraqitet rregullisht në garat evropiane dhe mbi të gjitha, të ruajë këtë status.

Por, dëshmia mbetet të shihet gjatë këtij edicioni, pasi ekipet franceze kryesisht nuk kanë pasur ndonjë konsistencë në garat evropiane. Ratcliffe beson se Nice prej këtij edicioni, do të jetë ekipi i vetëm që rregullisht do ta përfaqësojë Liguen 1, qoftë në Ligën e Kampionëve apo Ligën e Evropës.

"Synimi është të kemi një ekip stabil, jo vetëm në kampionat, por edhe në Evropë. Është shumë e rëndësishme që çdo edicion të jemi të pranishëm në kupat e Evropës", shtoi Ratcliffe.

Franca, tregu i ardhshëm i futbollit për investitorë

Franca po tregon shenja se mund të jetë tregu i ardhshëm i futbollit që synojnë investitorët e huaj. Transaksionet e tjera të klubeve franceze në muajt e fundit, përfshijnë edhe Bordeauxin (95 milionë euro) e Lillen (80 milionë euro).

Drejtuesit francezë të futbollit besojnë se me investitorët e duhur nëpër ekipe, Ligue 1 mund të garojë me Premier Leaguen, ligën më të vlefshme në botë. Me një kosto relativisht të ulët të futjes në treg në krahasim me Anglinë, Gjermaninë dhe Italinë, futbolli francez ka një shans për ta bërë një gjë të tillë, besojnë ata...(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)