Sport

Tifozet iraniane gjejnë emocionet e futbollit nëpër kafene e qendra tregtare

Në ditët e ndeshjeve, tifozet e reja iraniane të futbollit mbushin qendrat tregtare dhe kafenetë në Teheran, me fytyra të ngjyrosura me flamuj të Iranit dhe plot entuziazëm, ndërsa përcjellin përfaqësuesen në monitorë gjigantë përkrah meshkujve.

Femrave iraniane u është ndaluar të shohin ndeshjet e futbollit të meshkujve në stadiume që nga Revolucioni Islamik në vitin 1979. Mirëpo, kjo nuk zbeh vendosmërinë e tyre për të shijuar futbollin, transmeton Koha Ditore shkrimin e Reuters.

Tifozet gjatë kanë bërë fushatë për t'u lejuar që të shohin ndeshjet e meshkujve dhe herë pas here janë lejuar në numër të limituar në stadium.

Vdekja këtë muaj e një tifozeje që i vuri zjarrin vetes pas arrestimit, pasi ishte futur në një stadium, ka ngritur vëmendjen ndërkombëtare për përjashtimin e femrave iraniane nga stadiumet. Irani po ashtu është në presion nga FIFA për të ndryshuar këtë çështje.

Duke shikuar një ndeshje në një kafene të ngarkuar, tifozja iraniane Somayyeh Rajabpouyr, thotë se "shikimi në këtë mënyrë është më emocionues".

Një tifoze tjetër, Mahsa Alipour shton: "Gjithë njerëzit e duan. E duan futbollin shumë. Për mua personalisht, ndonëse nuk di shumë për futbollin, jam e entuziazmuar nga ndeshjet".