Sport

Rritet interesimi për Muriqin

Foto: Reuters

Pas Manchester Unitedit, Tottenhamit, Milanit, Napolit, Interit, Atletico Madridit e Valencias, së fundi në garë për shërbimet e sulmuesit të Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi është futur edhe skuadra e West Ham Unitedit.

Lajmi është bërë i ditur të hënën nga sajti anglez "90min.com". Sikurse skuadrat e tjera, edhe West Hami po synon transferimin e Muriqit gjatë afatit kalimtar të janarit dhe për këtë duhet bindur Fenerbahçe që para fillimit të këtij edicioni siguroi shërbimet e tij, transmeton Koha Ditore.

Më herët është raportuar se Fenerbahçe i ka vënë Muriqit një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh, duke parë formën e tij dhe interesimin nga shumë skuadra të Evropës.

Muriqi 25-vjeçar, te Fenerbahçe u transferua nga Rizespori për 3.5 milionë euro dhe me ekipin e ri ka kontratë deri në verën e vitit 2023. Muriqi edicionin e shkuar realizoi 17 gola në kampionatin turk kurse karrierë ka bërë edhe te Gençlerbirligi e Giresunspori.

Ai prej vitit 2016 është reprezentues i Kosovës dhe deri më tani ka shënuar pesë gola në 20 ndeshje të zhvilluara.