Sport

Reali ka marrëveshje me Kanten

Mesfushori francez N'Golo Kante pritet të jetë përforcimi i parë i Real Madridit për edicionin e ardhshëm.

Mediumet spanjolle kanë njoftuar të enjten se Reali ka arritur marrëveshje personale me Kanten, të cilin e ka bindur trajneri Zinedine Zidane, transmeton Koha Ditore.

Në fund të këtij edicioni, Reali do t'i bëjë Chelseat edhe ofertë zyrtare për Kanten që shihet si përforcim i madh për fushën e madrilenëve.

Kante vlerësohet ndër mesfushorët më të mirë defensiv dhe me Chelsean ka kontratë deri në vitin 2023. Ai luan në Premier League prej vitit 2015, pasi për një edicion ka qenë edhe pjesë e Leicester Cityt.

Kante i ka dy tituj kampioni të Anglisë, një me Leicesterin dhe një tjetër me Chelsean. Gjithashtu, ka edhe 38 paraqitje dhe një gol të realizuar te Franca, me të cilën vitin e shkuar e fitoi titullin e botës.