Sport

Mungesat e rëndësishme dhe presioni i menaxherëve nuk e zmbrapsin Challandesin para ndeshjeve të mëdha

Descriptive Text

Konferencën e ka nisur i buzëqeshur dhe me një "mirëdita", ndërsa gjatë saj e ka ngritur tonin dhe ka dhënë përgjigje të prera. Seleksionuesi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, nuk ka ndryshuar aspak stilin e tij të prezantimit para mediave. Ka premtuar se edhe Kosova nuk do të heqë dorë nga filozofia e saj, ndonëse përballet me mungesën e gjysmës së lojtarëve titullarë, e po ashtu do të luajë me dy kundërshtarët bindshëm më të fortë në grup.

Zvicerani Challandes të dielën paradite ka mbajtur konferencën e parë për shtyp në prag të ndeshjeve eliminatore për "Euro 2020" me Çekinë dhe Anglinë.

Të shtunën, më 7 shtator, Kosova takohet me Çekinë në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë. Më 10 shtator Kosova luan me Anglinë në Southampton. Challandes të premten ka publikuar listën e lojtarëve, ndërsa stërvitjet e Kosovës nisin të hënën (sot) pasdite, shkruan sot Koha Ditore.

Zvicerani me përvojë në ndeshjet me shumë rëndësi nuk do të mundë të llogarisë në disa prej lojtarëve më të rëndësishëm te Kosova, si Milot Rashica, Arbër Zeneli, Hekuran Kryeziu, Benjamin Kololli e Herolind Shala. Të gjithë këta janë titullarë dhe mungojnë për shkak të lëndimeve. Ka lojtarë të tjerë që nuk po luajnë për skuadrat e tyre dhe kjo e bën gjendjen edhe më kritike. Por Challandes, si gjithnjë deri më tani, nuk ka zgjedhur që të ankohet e të gjejë arsyetime. Ka zgjedhur për të bërë zgjidhje.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)