Sport

Mioçiq rikthen titullin e peshës së rëndë në UFC

Stipe Mioçiq priti më tepër se një vit për rimeçin e tij. Më pas priti katër raunde për të ekzekutuar planin më të mirë të mundshëm kundër Daniel Cormierit.

Në fund, durimi i Mioçiqit u shpagua. Ai ktheu titullin e UFC-së në peshën e rëndë duke triumfuar me nokaut teknik në raundin e katërt, të shtunën mbrëma, në meçin kryesor ndaj Cormierit.

Mioçiq nisi të jepte goditje në trup në raund të katërt dhe ndonëse tri të parat Cormier i përballoi mirë, goditjet e tjera nisën të bënin të veten. Ishte një goditje me të majtën në trup që çoi te aksioni që më pas e mbylli përballjen 4:09 minuta në raundin e katërt, shkruan ESPN, transmeton “Koha Ditore”. Me fitore, Mioçiq riktheu titullin që e kishte humbur nga Cormieri me nokaut në raund të parë në korrik të vitit 2018.

“Ndjeva se ai kishte dhembje në trup. Duart e tij po binin, kështu që nisa të godisja më pas lartë. Trajneri më tha të përdorja dorën e djathtë. E dija se po e lëndoja. Unë thjeshtë duhet të vazhdoja të punoja derisa ai të hapej”, ka thënë Mioçiq.

Para raundit të katërt, meçi ishte i Cormierit. Dy nga anëtarët e jurisë e kishin atë në epërsi 29:28 duke u futur luftëtarët në raundin e katërt, ndërsa një tjetër e kishte 30:27.

Cormier e rrëzoi Mioçiqin në raundin e parë. Në raundin e dytë dha një seri të goditjeve dhe ndonëse vëreheshin rezultatet, Mioçiq kurrë nuk u dëmtua seriozisht. Cormier dha goditje tjera direkte në raund të tretë, por Mioçiq po ashtu dha disa goditje të fuqishme, përfshirë një që i hapi plagë Cormierit afër gojës.

Strategjia e durimit iu shpagua Mioçiqit në raundin e katërt. Ai nisi të jepte goditje me të majtën dhe të djathtën në trup sa herë që e shihte rastin. Derisa Cormier po mbronte kokën, goditjet në trup nuk po mund t'i evitonte.

“Mendoj se ai bëri një përshtatje fenomenale”, ka thënë Cormier.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)