Sport

Infantino thotë se duhet reformë në transferime

Sistemi i transferimit të futbollistëve duhet të reformohet. Kjo është ajo që ka deklaruar presidenti i FIFA, Gianni Infantino gjatë Kongresit të 67 të këtij institucioni të mbajtur në Manama të Bahreinit.

“Do të bëjmë propozimet tona”, tha Infantino. “Duhet të rishohim rregullat për transferimin e futbollistëve dhe gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me këtë proces për ta bërë sa më transparent. Duhet diskutuar me futbollistët dhe klubet. Duhet të gjejmë mundësinë sesi të krijojmë një proces më të mirë. Në çdo sesion të merkatos në botë qarkullojnë mbi 3 miliardë dollarë, një shifër marramendëse parash”.

Këtë deklaratë, kreu i qeverisë së futbollit botëror e bëri vetëm 2 ditë pas kërkesës së bërë nga FIFA për të marrë informacione nga Manchester United për blerjen e Paul Pogbas nga Juventusi, që është edhe blerja më e shtrenjtë në historinë e futbollit, transmeton tch.

Mesfushori francez, u transferua të “Djajtë e Kuq”, për një vlere prej 105 milionë euro, një lëvizje kjo nga e cila, agjenti i tij Mino Raiola përfitoi 48 milionë euro.