Sport

“You'll never walk alone” hap sezonin e ri të Premier Leagues

Foto: Reuters

Sonte nis sezoni i ri i atij që konsiderohet si kampionatit më i fortë në botë, Premier Liga angleze, që pritet të sjellë sërish përballje emocionuese.

Kampioni aktual Manchester City sërish është pretendent për të triumfuar, ndërsa Liverpooli pritet ta rivalizojë njëjtë siç bëri edhe sezonin e kaluar. Por, ndryshe nga Guardiola, Kloppi preferoi të mos sjellë ndonjë emër të madh si transfer në “Anfield”, shkruan ksp.

Tottenhami ka bërë disa goditje mjaft interesante dhe, pas Cityt e Liverpoolit, llogaritet si ekipi që nuk pritet të ketë ndonjë problem për të siguruar një vend në Champions për sezonin pasardhës.

Ekipi tjetër nga Londra veriore, Arsenali, pati një afat kalimtar interesant. Edhe pse u tha se nuk kanë shumë mjete për të shpenzuar, ata transferuan Pepen, Luizin, Saliban, Tierneyn dhe Martinellin. Tifozët kërkojnë një trofe dhe kthimin në Champions, çdo gjë tjetër nuk mund të tolerohet.

Frank Lampard do të drejtojë Chelsean që mund të jetë një sezon i vështirë. Pa Eden Hazardin dhe me një ekip relativisht të ri, “blutë” do të tentojnë të kapin një vend në “Top 4”, ndërsa do të jenë të angazhuar edhe në Champions.

Shumë emra të njohur qarkulluan se mund të luajnë për Manchester Unitedin këtë sezon, por Ole Gunnar Solskjaer duhet të kënaqet me Daniel Jamesin, Aaron Wan-Bissakan dhe Harry Maguiren. Lojtarë si Dybala, Erikssen, Icardi, James, Bale e shumë të tjerë do të mbesin ëndërr në sirtar.

Sidoqoftë, tashmë që gjithçka rreth afatit kalimtar ka përfunduar, sonte ngritët sipari i një tjetër sezoni dhe me disa ndryshime në rregulla, ku njëra ndër to është edhe VAR, pritet me padurim nga tifozët.

Nuk mund të niste ndryshe Premier League përpos me himnin legjendar “You'll never walk alone” të tifozëve të Liverpoolit që sonte prej orës 21:00 presin në “Anfield” Norwichin, ekip që është rikthyer në elitën e futbollit anglez.

Fundjava rezervon të tjera ndeshje dramatike, ku përmbyllet me derbin Manchester United-Chelsea.