Sport

Lewandowski bën thirrje për përforcime të profilit të lartë

Foto: Reuters

Sulmuesi i Bayern Muenchenit, Robert Lewandowski, u ka bërë thirrje krerëve të klubit që të bëjnë transferime të profilit të lartë që mund të kenë ndikim në skuadër, e jo lojtarë me potencial.

Bayern Muencheni të shtunën pësoi 2:0 nga Borussia Dortmundi në ndeshjen e Superkupës së Gjermanisë. Lewandowski është ankuar për mungesën e lojtarëve që mund të bëjnë dallimin në lojë në mesin e zëvendësuesve të Bayernit dhe vuri në pikëpyetje strategjinë e aplikuar nga klubi në afatin kalimtar të verës, transmeton Koha Ditore.

"Sigurisht, lojtarët e rinj në bankinë kanë potencial, kjo është e vërtetë. Por nganjëherë të duhet përforcim direkt nga dikush që mund të hyjë nga banka dhe ta ndihmojë skuadrën", ka thënë Lewandowski.

Ndryshe nga Dortmundi që ka forcuar dukshëm skuadrën në verë, duke marrë lojtarë si Mats Hummels, Thorgan Hazard, Nico Schulz, Julian Brandt e Paco Alcacer, Bayerni ka transferuar vetëm mbrojtësit francezë Benjamin Pavard e Lucas Hernandez.

Ndërkohë nga Bayerni janë larguar Arjen Robben, Franck Ribery, James Rodriguez, Mats Hummels e Rafinha. Sulmuesi gjerman, Fiete Arp, kaloi nga Hamburgu, ndonëse është e paqartë nëse do të qëndrojë apo do të huazohet te ndonjë skuadër.

Nuk është hera e parë që Lewandowski ka bërë thirrje te krerët e klubit që të bëjnë transferime. Edhe në kohën kur skuadra ishte në turneun parasezonal në SHBA, ai kishte kërkuar të njëjtën gjë.

"Mendimi im është i njëjti, pasi saktësisht është parë mungesa e një lojtari të profilit të lartë që do të mundë të hynte nga banka rezervë dhe të bënte dallimin", ka thënë Lewandowski.

Bayerni është duke biseduar me sulmuesin anësor gjerman të Manchester Cityt, Leroy Sane.

Revista gjermane "Kicker" dhe gazeta "Sueddeutsche Zeitung" kanë raportuar se Sane është pajtuar t'i bashkohet Bayernit në atë që do të jetë një shifër rekorde për Bundesligën gjermane.

Lewandowski, po ashtu, është ankuar për mungesë vetëbesimi nga bashkëlojtarët e tij.

"Ne kemi humbur vetë lojën. Kemi mundur të fitojmë, por kemi bërë tepër gabime të thjeshta. Në pjesën e dytë, pas golit të parë, ne nuk ishim qind për qind të sigurt se mund të kthehemi. Mendoj se ishte gabimi i njëjtë që bëmë edhe stinorin e kaluar. Sa herë që pranojmë gol, ne mundohemi të luajmë, por nuk kemi qind për qind besim se mund t'ia dalim ta përmbysim rezultatin", ka thënë Lewandowski.