Sport

Pas periudhës së vështirë, Lochte synon Lojërat Olimpike

Descriptive Text

Ryan Lochte është kthyer në gara të notit të mërkurën, për herë të parë, pasi vuajti suspendimin 14 muajsh për marrjen e një injeksioni intravenoz.

Gjatë tre vjetëve të fundit Lochte ka vuajtur edhe një suspendim prej dhjetë muajve për një incident ku kishte qenë nën ndikim të alkoolit gjatë Lojërave Olimpike “Rio 2016”. E pas suspendimit të fundit 14 muajsh kërkoi trajtim për problemet me alkool.

Lochte ka thënë se ishte futur në një qendër rehabilitimi në Florida vitin e kaluar dhe trajtimi zgjati gjashtë javë, shkruan “USA Today”, transmeton “Koha Ditore”.

“Mendoj se erdha te një pikë në jetën time ku më duhej një ndryshim”, thotë Lochte, fitues i 12 medaljeve olimpike që mbush 35 vjet të dielën dhe po garon në kampionatin nacional të SHBA-së. “Kështu që u futa në rehabilitim. Përfundova seancat dhe bëra çdo gjë”.

Lochte thotë se piu një gotë verë më 17 qershor për të kremtuar lindjen e vajzës së tij, Liv Rae.

“Por, nuk shqetësohem më për alkoolin”, thotë Lochte, që ka edhe një djalë dyvjeçar Caidenin. “Unë kam gjëra më të mëdha dhe më të mira. Jam i lumtur që u futa në rehabilitim, pasi më ndihmoi shumë. Më ndihmoi të vendosja gjërat në perspektivë dhe ato se çfarë janë vërtet të rëndësishme në jetën time. Unë kthehem në shtëpi, luaj me fëmijë dhe puth bashkëshorten time. Dhe për mua kjo është çdo gjë”, thotë Lochte.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)