Sport

Rahoveci konfirmon pjesëmarrjen në BIBL

Nënkampioni i Kosovës në basketboll, Rahoveci, edicionin e ri do të bëjë gara edhe në Ligën Ballkanike (BIBL), ka njoftuar faqja zyrtare e kësaj gare rajonale të enjten.

Ky lajm është konfirmuar vetëm një ditë pasi Rahoveci ka mësuar kundërshtarin në kuadër të raundit kualifikues të FIBA Europe Cup, ku do të përballet me Clujin e Rumanisë.

Liga Ballkanike është garë rajonale, në të cilën përfshihen ekipet nga Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Bullgaria e Kosova. Edicioni i ri do të nisë më 15 tetor, kurse Rahoveci është ekipi i dytë që deri më tash ka konfirmuar pjesëmarrjen pas Vllaznisë së Shkodrës.

Në BIBL janë paraqitur edhe Prishtina, Peja, Trepça e Bashkimi. Skuadra e Prishtinës e ka fituar dy herë titullin e kampionit në BIBL.