Sport

Tenistët e notarët përfundojnë garat në “Baku 2019”

Melos Nallbani ishte tenisti i fundit, i cili në konkurrencën individuale, u eliminua në raundin e parë të Festivalit Olimpik për të Rinj “Baku 2019”.

Nallbani, të hënën pësoi humbje nga rumuni Alin Fatu me 2:0 në sete (6:0, 6:2). Një ditë parë tij, të njëjtin fat e patën edhe Fresk Sylhasi, Vesa Gjinaj e Forta Morina. Krahas eliminimit në konkurrencën individuale, tenistët nga Kosova u eliminuan edhe në atë të çifteve, pasi të martën pësuan humbje.

Çifti Nallbani-Sylhasi pësoi humbje 2:0 në sete nga spanjollët Rodenas-Merida, kurse më të njëjtin rezultat u mposht edhe çifti Gjinaj-Morina te femrat nga suedezet Mittereger-Johansson. Edhe notarët Olt Kondirolli, Hana Fejzullahu, Jona Macula e Elona Zhugolli nuk arritën të kualifikohen në çerekfinale, ndonëse Kondirolli e Fejzullahu thyen rekordet personale.

Kondirolli garoi në disiplinën stil i lirë (400 metra) me kohë 4:21.13, kurse në 100 metra shpinë regjistroi kohë 1:06.21. Fejzullahu në 200 metra delfin pati kohë 2:33.10, pastaj Macula në 100 metra stil të lirë arriti kohën 1:06.19, kurse Zhugolli kohën 1:12.02.

Ndërkohë, mundësja Njomëza Krasniqi në kategorinë deri 49 kilogramë pësoi humbje nga garuesja gjermane Rebekka March. Kosova në këtë ngjarje po paraqitet me 18 sportistë në pesë sporte dhe pretendentë për medalje janë xhudistët.