Sport

Atletico paralajmëron procedurë ligjore për transferimin e Griezmannit në Barcelonë

Atletico Madridi përmes një komunikate zyrtare ka paralajmëruar se do të hapë procedurë ligjore për transferimin e Antoine Griezmannit në Barcelonë.

Ylli francez u transferua sot te Barcelona, e cila ka paguar klauzolën e tij prej 120 milionë euro, transmeton Koha.net.

Por, përkundër kësaj Atletico Madridi ka reaguar për ndërprerjen e kontratës së njëanshme nga ana e Griezmannit, duke theksuar se Barça kishte arritur marrëveshje me lojtarin kur klauzola e tij ishte 200 milionë euro.

“Antoine Griezmann, i përfaqësuar nga avokati i tij, u paraqit në qendrën e ‘Liga de Futbol Profesional (LFP)’ për të ndërprerë kontratën që lidhte lojtarin me Atletico Madridin, me Barcelonën që ka depozituar shumën prej 120 milionë eurosh”, thuhet në komunikatën e Atletico Madridit.

Tutje Atletico beson se shuma e depozituar është e pamjaftueshme për të ndërprerë kontratën e lojtarit, kjo për shkak se kur Barça kishte arritur marrëveshje me Griezmannin klauzola e tij ishte 200 milionë euro.

“Atletico Madridi beson se ndërprerja e kontratës ka ndodhur para përfundimit të sezonit të kaluar për shkak të ngjarjeve, akteve dhe provave të kryera nga lojtari. Prandaj ne tashme kemi filluar procedurat të cilat i konsiderojmë të përshtatshme për mbrojtjen legjitime të të drejtave dhe interesave tona”, thuhet në komunikatën e Atleticos.