Sport

Muriqi “lë me gishta në gojë” Galatën, i bashkohet Fenerbahçes

Foto: Reuters

Një transferim i befasishëm po konsiderohet kalimi i sulmuesit kosovar Vedat Muriqi, nga Rizespori në një ndër klubet më të trofeshme të Turqisë, Fenerbahçe.

Kjo pasi gjatë këtij afati kalimtar, sulmuesi i klubit turk Rizespor, u përfol se do t’i bashkohej me shumë gjasë Galatasarayt, ndonëse pati raportime se po kërkohej edhe nga klube në Serie A dhe në Ligën e Francës.

Por, drejtori sportiv i klubit turk Rizespor, Yilmaz Bal, ka konfirmuar se Muriqi do t’i bashkohet Fenerbahçes.

“Transferimi i Vedat Muriqit në Fenerbahçe është kryer, gjithçka është pajtuar. Lojtari ynë do t’i vazhdojë takimet me Fenerbahçen”, ka shkruar Rizespor në profilin zyrtar në Twitter, duke cituar fjalët e drejtori Bal, raporton Koha.net.

Sipas mediave turke, zëvendëskryesuesi i KF Fenerbahçes, Semih Ozsoy, i ka telefonuar Muriqit, pasi që ky i fundit është duke pushuar në shtëpi pas një lëndimi në këmbë. Gjatë kësaj bisede, siç raporton “Skor”, është arritur marrëveshja për të gjitha detajet e kalimit të tij në klubin e ri.

Por, Ozsoy e ka pyetur Muriqin nëse janë të vërteta fjalët që kanë qarkulluar në media se ai dëshiron të luajë për Galatasarayn.

“Asnjëherë nuk e kam thënë atë deklaratë. Nuk kam thënë se dua të luaj për Galatasarayn. Nuk ekziston një deklaratë e tillë në deklaratën time me shkrim. Do të bëj gjithçka për Fenerbahçen tani”, citohet të ketë thënë Muriqi.

Në kulmin e zërave për një kalim të mundshëm te Galatasaray apo Fenerbahce, dy ekipet e Stambollit që e kanë kërkuar zyrtarisht, Muriqi ditë më parë tha se i qëndron marrëveshjes, pas problemeve të fundit.

“Kam pasur një bisedë telefonike me Presidentin, Hasan Kartalin dhe i tregova mendimin tim rreth të ardhmes. Duke qenë se ka mosmarrëveshje për transferimin, dua të bëj me dije se do ta respektoj kontratën time me Rizesporin, deri në fund. Ky është vendimi im përfundimtar”, kishte deklaruar Muriqi.

Sulmuesi ka shkëlqyer me fanellën e Kosovës në Ligën e Kombeve dhe është bërë protagonist me gola edhe në eliminatoret e Evropianit 2020.