Sport

Atletico nuk e lëshon Griezmannin, akuzon Barcelonën për shkelje të parimeve

Pas deklaratave të sotme të presidentit të FC Barcelonës, Josep Maria Bartomeu në lidhje me lojtarin e Atleticos, Antoine Griezmann, klubi nga Madridi ka lëshuar një deklaratë publike.

“Më 14 maj, Antoine Griezmann informoi Miguel Angel Gilin, Diego Pablo Simeonen dhe Andrea Bertan për vendimin e tij për të lënë klubin tonë në fund të sezonit. Në ditët që pasuan atë takim, Atletico Madridi mësoi se FC Barcelona dhe lojtari kishin arritur një marrëveshje në mars, veçanërisht në ditët pas ndeshjes së kthimit të lidhjes së Ligës së Kampionëve kundër Juventusit dhe se ata kishin negociuar kushtet e marrëveshjes që nga mesi i shkurtit”, thotë klubi, në deklaratën zyrtare.

Lidhur me deklaratën e presidentit Bartomeu, Atletico thekson se është e vërtetë që dje ka pasur një takim mes Miguel Angel Gilit dhe drejtorit të përgjithshëm të FC Barcelonës, Oscar Grau, me kërkesën e Barcelonës, duke shprehur interesimin për lojtarin.

“Përgjigjja e Atleticos ishte padyshim negative, pasi ne besojmë se FC Barcelona dhe lojtari nuk kanë respektuar Atletico Madridin dhe të gjithë tifozët e saj. Si rrjedhojë, sot Atletico Madridi ka udhëzuar lojtarin, motrën, agjentin dhe avokatin e tij se Antoine Griezmann, në përputhje me detyrimet e tij kontraktuale me klubin tonë, duhet të shfaqet të dielën e ardhshme në ambientet e klubit në mënyrë që të fillojë përgatitet për parasezonin me pjesën tjetër të ekipit”, thuhet në njoftim.

Nëpërmjet kësaj deklarate, Atletico gjithashtu thotë se dëshiron që të shprehë indinjatën e thellë me të dy, e sidomos me FC Barcelonën, që sipas Atleticos, ka nxitur lojtarin të thyejë marrëdhënien e tij kontraktuale me klubin, në një kohë të sezonit kur klubi ishte i përfshirë në Ligën e Kampionëve kundër Juventusit, si dhe garën për kampion të LA Ligës, kundër FC Barcelonës.

“Ne besojmë se kjo shkel periudhat e mbrojtura të negociatave me lojtarët dhe ndryshon rregullat themelore të integritetit sportiv, si dhe shkakton dëme të mëdha klubit tonë dhe miliona tifozë të tij”, thuhet në fund të reagimit.