Sport

Muminoviq nuk ia del ta mbrojë titullin evropian

Xhudistja Erza Muminoviq është ndalur herët në kampionatin evropian për grupmoshën e kadetëve që nisi të enjten në Varshavë të Polonisë.

Kështu 17-vjeçarja nuk ia ka dalë ta mbrojë titullin e fituar një vit më parë në Sarajevë. 2018-a ishte vit i jashtëzakonshëm për Erza Muminoviqin, që fitoi edhe medalje të bronztë në Lojërat Olimpike për të Rinj, transmeton Koha Ditore.

Por këtë vit ka pasur telashe për të shfaqur formën në të gjitha garat. Ka fituar medalje të arta në Athinë e Cluj Napoca, ndërsa të bronztë në Bielsko Biala.

Por në disa gara ka mbetur pa medalje dhe kjo i ndodhi edhe të enjten në Evropianin në Varshavë. Vjet kishte fituar të artën në kategorinë deri 44 kilogramë, ndërsa këtë herë garoi në kategorinë deri 48 kilogramë.

Në luftën e parë e mposhti gjermanen Darja Dorowskich, ndërsa në luftën e dytë u ndal nga italiania Giulia Carna. Carna fitoi falë një "waza-ari".

Në Evropianin e kadetëve do të paraqitet edhe Fationa Kasapi në kategorinë deri 57 kilogramë. Festim Beqiri do të garojë në kategorinë deri 66 kilogramë, Rios Kuka në kategorinë deri 90 kilogramë dhe Anes Veseli në kategorinë deri 81 kilogramë. Në Evropian po paraqiten 431 xhudistë nga 39 shtete.