Sport

Hoxha e Rexha kanë besim se Feronikeli do të vazhdojë tutje

Foto: Driton Paçarada / KD

Mesfushori i Feronikelit, Ylli Hoxha, ka shprehur gëzimin për fitoren e sotme, ndërsa ka shprehur besimin e tij te Feronikeli dhe te bashkëlojtarët e tij, për kalim në rrethin e parë kualifikues në kuadër të Ligës së Kampionëve.

“Jemi mjaft të kënaqur duke qenë që vijmë nga një pushim pa lojë për më tepër se një muaj, dhe kjo është hera e parë e jona që paraqitemi në një garë të këtij niveli”, ka thënë Hoxha, për televizionin publik, duke shtuar se “edhe pse me rezultat minimal, fitorja ishte e ëmbël”.

“Ne jemi bërë maksimalisht gati për këtë ndeshje, duke i parë pikat e forta dhe të dobëta të ekipit kemi arritur fitore”, ka thënë Hoxha.

Ai ka thënë se do të kenë kohë që deri të premten ta analizojnë kundërshtarin e radhës, Santa Coloma, dhe se do të triumfojnë edhe në këtë garë.

“Kam shumë besim te kjo skuadër dhe te këta bashkëlojtarë. Ndeshja dallon prej ndeshjes, është një kundërshtar tjetër. E kemi parë një pjesë të ndeshjes së sotme. Duke parë edhe kualitetin tonë kam shumë besim se do të ecim tutje. Kam shumë besim se mund të shkojmë tutje”, ka thënë ai.

Poashtu edhe Kastriot Rexha është shprehur optimist për ndeshjen e së premtes ndaj Santa Colomas.

“Jam i kënaqur për fitoren, por jo edhe me lojën. Në bazë të asaj që kemi parë Santa Coloma është e fortë, por kam besim se mund t’ia dalim edhe në atë takim. Besoj se do të kalojmë në raundin e parë dhe kjo do të ishte një sukses i madh për ne. Ende nuk është loja jonë më e mirë, por shpresoj se të premten do t’i afrohemi asaj”, ka deklaruar Rexha.