Sport

Mbyllet gjysma e projektit për stadiumin e ri “Arena Kombëtare” në Tiranë

Brenda më pak se një viti stadiumi i ri "Arena Kombëtare" ka mbërritur deri në gjysmën e zbatimit të projektit.

Arkitekti italian, Mauro Casamondi ka qenë i pranishëm në një inspektim së bashku me presidentin e Federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka, drejtuesit e kompanisë zbatuese, si dhe me shefin e terreneve dhe infrastrukturës së FSHF, Arben Dervishaj.

Respektimit kontraktual të afatit të inagurimit, që është muaji nëntor 2018, i është shtuar edhe objektivi i ri i FSHF-s, që është zhvillimi i finales së Superkupës së Europës në vitin 2019.

“Kjo është një nga objektet më të mira sa i përket mënyrës dhe cilësisë së punimeve që unë personalisht kam parë në vendin tonë. Uroj që gjithçka të përfundojë brenda afatit për të zhvilluar edhe finalen. Shpresoj që shumë shpejt të jetë gati për të ardhur këtu dhe për të parë futboll”, deklaroi presidenti i FSHF-së, Duka.

Arkitekti italian i projektit Mauro Casamondi tregon se stadiumi i ri i kryeqyteti do të jetë më tepër se thjesht një stadium futbolli, raporton TCH.

“Nuk është thjesht një stadium, por një vepër arti që për qytetin e Tiranës dhe për të gjithë Shqipërinë. Të ndërtosh mbi projektin e Gerardo Bozios është një krenari për mua. Ajo që ka qenë hyrja monumentale e stadiumit, do të mbetet hyrja monumentale e stadiumit të ri. Pra do të kemi një projektin e një arkitekti të madh fiorentin, si Gerardo Bozio, që unë e dua shumë, i vazhduar nga një tjetër arkitekt fiorentin që jam unë. Pra ka një vazhdimësi historike dhe kulturore”, thotë ai.