Sport

Agron Kuka: Kelmendi e konfirmoi se është një person, sportiste e shqiptare e jashtëzakonshme

Kreu i Federatës së Xhudos, Agron Kuka ka thënë se Majlinda Kelmendi sot e konfirmoi edhe njëherë se është një person, sportiste dhe shqiptare e jashtëzakonshme.

Kelmendi arriti të rrëmbejë medaljen e artë në Lojërat Evropiane sot në Minsk të Bjellorusisë, transmeton Koha.net.

Kuka deklaroi se në çdo garë synohen medaljet, e kjo sot u arrit nga xhudistët e Kosovës.

“Qëllimi ynë është që të fitojmë medalje, sot me dy garuese e arritëm kulmin. Para pak çastesh Majlinda e arriti të artën. Me sot Majlinda e konfirmoi se është një person, sportiste e shqiptare e jashtëzakonshme. E mira e gjithë kësaj është se në finale e mposhti një garuese me shumë përvojë, dhe kjo është një ngjarje historike jo vetëm për sportin por edhe për Kosovën në përgjithësi”, u shpreh Kuka.

Agron Kuka gjithashtu ka lavdëruar edhe Nora Gjakovën për paraqitjet në Minsk.

“Nuk është me rëndësi çfarë medalje është dhe tani që Nora është në finale shpresoj dhe besoj se edhe ajo do të stoliset me të artë. Deri më tani ajo ka kryer misionin në këtë garë në Minsk. Shpresoj që edhe Nora ta përsërisë suksesin e Majlindës”, u shpreh ai.

Ai thotë se është shumë e rëndësishme që sot Bjellorusia njoftohet me simbolet e Kosovës.

“Është e jashtëzakonshme pasi e dimë se Bjellorusia nuk na njeh si shtet, dhe u njoftua me Kosovën dhe vlerat e saj dhe do ta respektojë flamurin e himnin tonë. Shpresoj se kjo nuk do të mbetet vetëm në sport”, u shpreh ai.