Sport

Florent Muslija së shpejti pritet t’i bashkohet Kosovës

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të përforcohet edhe me një futbollist tjetër të talentuar.

Bëhet fjalë për mesfushorin ofensiv të Hannoverit, Florent Muslija, ka mësuar të premten “Sporti në KTV”.

Burimet brenda Federatës i kanë thënë televizionit se kryetari Agim Ademi ka udhëtuar drejt Gjermanisë për t’u takuar me futbollistin e Bundesligës.

“Florent Muslija ka pranuar të luajë për Kosovën dhe kryetari Ademi ka udhëtuar menjëherë drejt Gjermanisë. Ai shpejt do të bëhet ‘Dardan”, ka njoftuar një zyrtar i Federatës për televizionin.

Nga zyrtarët e klubit nuk kanë dhënë ndonjë informatë, por as nuk është mohuar.

20-vjeçari i lindur në Gjermani është pjesë e Hannoverit, skuadër me të cilën edicionin e shkuar shënoi dy gola në 17 paraqitje. Për U20 e Gjermanisë ka shënuar një gola në pesë ndeshje.

Me Hannoverin gjerman, Muslija ka kontratë deri në qershor të vitit 2022.