Sport

Drita: Kastrati kurrë s’është grumbulluar me klubin tonë

Klubi i futbollit Drita ka reaguar ndaj deklaratës së lojtarit të kombëtares së Kosovës, Lirim Kastrati, se dikur ishte refuzuar që të luante në këtë skuadër.

Në Interaktiv të KTV-së, ylli i Lokomotivës së Zagrebit të hënën tha se kur ishte më i ri, Drita nuk i kishte gjetur vend në ekip.

“Isha për dy javë stërvitje te Drita në fazë përgatitore, por nuk iu jam dukur lojtar i mirë. Pastaj kam ik në Shqipëri. Drita më tha se s’mund të luash këtu. U ktheva në Shqipëri dhe patëm miqësore ndaj Dritës U19. Realizova tre gola dhe postova videon në YouTube e më kontaktuan shumë menaxherë. Rexhi Jëlliqi ishte ai që më mori dhe më dha garancionin e ika në Lokomotivë, firmosa kontratë njëvjeçare menjëherë pas stërvitjes së parë e tash profesionale”, kishte thënë Kastrati.

Këtë deklaratë, Drita e ka quajtur joprofesionale dhe të pamatur.

“Duke ditur që klubi jonë FC DRITA nuk është ithtare të reagojë për çdo thashetheme që e lakon emrin e klubit tonë, nuk kemi mundur të qëndrojmë duarkryq ndaj deklaratës së lojtarit të kombëtares U-21, Lirim Kastrati i cili në një medium ka deklaruar që ka qenë i grumbulluar me klubin tonë në fazë përgatitore për dy javë! Dëshirojmë që ta njoftojmë të gjithë opinionin futbolldashës se Lirim Kastrati nuk ka qenë asnjëherë i grumbulluar me klubin tonë as për një ditë të vetme dhe se deklarimet e tij janë tejet joprofesionale dhe të pamatura nga Lirimi”, thuhet në njoftim të Dritës.

Drita ka thënë se i gëzohet çdo sukses të kombëtareve, por ka shtuar se “asnjëherë nuk i pranon shpifjet nga lojtarët të cilët tentojnë të dëmtojnë imazhin e klubit tonë”.

“Klubi jonë i bënë thirrje të gjithë futbollistëve të rinj që t’i kushtojnë rëndësi deklaratave publike sepse deklarata të tilla mund të ndikojnë keq në uljen e reputacionit të një sportisti. Klubi jonë i uron shumë suksese Lirimit, ndërsa në fushën e komunikimit e këshillon të përmirësohet shumë më shumë!” ka përfunduar Drita.