Sport

Anglia mund të luajë në stadiumin e zbrazët në Bullgari

Descriptive Text

Bullgaria mund të detyrohet të luajë pa tifozë ndeshjen kundër Anglisë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020 pasi UEFA nisi një hetim ndaj pretendimeve për sjellje raciste nga fansat bullgarë në ndeshjen kundër Kosovës.

Vendësit humbën ndeshjen e së hënës të Grupit A, në kryeqytetin bullgar Sofje, 3-2.

UEFA do të dëgjojë rastin të enjten, më 18 korrik, ndërsa sanksionet pritet të jenë mbyllja e plotë ose e pjesshme e stadiumit, shkruan koha.net.

Liderët e Grupit, Anglia, do të ndeshen në Sofje me Bullgarinë që gjendet në pozitën e fundit të Grupit, më 14 tetor.

Organi evropian për drejtimin e futbollit po heton edhe Letoninë për sjellje të mundshme raciste nga fansat e tyre në humbjen si vendës ndaj Izraelit në kuadër të Grupit G.

Mali i Zi u detyrua të luante një ndeshje pa shikues si vendës pas abuzimeve raciste ndaj lojtarëve anglezë nga fansat në muajin mars.

Kosova luajti në Podgoricë pa shikues në barazimin 1-1 të 7 qershorit.

Në ndeshjen me Bullgarinë, në stadium u dëgjuan thirrje raciste të tilla si “ubi shqiptari”, që janë thirrje nga tifozët serbë e që do të thotë “mbytni shqiptarët”.