Sport

Federata e Karatesë reagon ndaj KOK-ut

Federata e Karatesë e Kosovës ka vlerësuar se Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë ndërhyrje flagrante në punët dhe politikat e brendshme të FKK-së.

Federata e Karatesë, të premten, ka bërë një reagim publik, që ka të bëjë me pjesëmarrjen e Alvin Karaqit në Lojërat Evropiane që mbahen më vonë këtë muaj në Minsk të Bjellorusisë, shkruan “Koha Ditore”.

Sipas reagimit, Federata ka vendosur që Karaqin në Minsk ta shoqërojë përzgjedhësi Isak Curri, ndërsa KOK-u që në Minsk së bashku me Karaqin të jetë Shqipe Zogiani. Zogiani është trajnere e Karaqit në klub.

FKK-ja ka njoftuar se Zogiani është e suspenduar si trajnere për periudhë prej 12 muajve dhe se vendimi i KOK-ut është shkelje e vendimit të marrë nga autoritetet më të larta të FKK-së. Federata ka vlerësuar se KOK-u me këtë vendim, po ashtu, ka ndërhyrë në pavarësinë e Federatës.

“Ka edhe konflikt interesi, pasi që znj. Zogiani është anëtare e Bordit të KOK-ut. Ka ndërhyrje edhe në fushën e ekspertizës, duke mos i marrë parasysh vendimet e autoriteteve më të larta në Federatën e Karatesë së Kosovës. Ka edhe keqinterpretim të Kartës Olimpike, me të cilin KOK-u mori vendimin. Nuk gjeni asnjë nen në Kartën Olimpike ku lejohet ndërrimi i anëtarëve të deleguar nga Federatat respektive”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Nga KOK-u nuk ka pasur ndonjë reagim lidhur me akuzat e Federatës së Karatesë. Në të vërtetë në karate ka një konflikt në hije në mes të drejtuesve aktualë të federatës dhe atyre që ishin më parë.