Sport

Toronto Raptors shkruan historinë duke triumfuar në NBA

Foto: Reuters

Toronto Raptors ka hyrë në histori të basketbollit amerikan, pasi ia ka dal të fitojë për herë të parë në histori titullin kampion në NBA, duke mposhtur në finale pikërisht kampionin në fuqi, Golden State Warriors.

Raptors arritën të sigurojnë titullin kampion, pasi fituan në ndeshjen e 6 me rezultatin 110-114, duke mbyllur këtë edicion final me një bilanc fitoresh 4-2, që i mundësuan të hapë shampanjën e një triumfi tërësisht të merituar.

Sfida e mbrëmshme u zhvillua në “Oracle Arena” të Oaklandit, shtëpinë e Warriors, ndërsa ishte tejet emocionuese dhe fati i saj u vendos vetëm në fraksionin e fundit. Pjesa e parë ishte me ritëm dhe e shpejtë, ndërsa Raptors arritën të krijojnë vetëm një pikë diferencë, transmeton Supersport.

Edhe pjesa e dytë foli për kanadezët, por edhe këtë herë diferenca ishte e vogël dhe pas gjysmës së parë të lojës, Toronto ishte një avantazh prej vetëm 3 pikësh. Vendasit reaguan në fraksionin e tretë, duke marrë avantazhin e ndeshjes, por në sprintin final gjithçka foli për Raptors që arritën të triumfojnë 22-28 dhe të fitojnë ndeshjen me rezultatin 110-114.

Duhet theksuar se Golden State Warriors iu desh të bëjë pa shërbimet e Kevin Durant, i cili u dëmtua në sfidën e tre ditëve më parë në Toronto, ndërsa më i miri i ndeshjes së djeshme ishte Thompson me 30 pikë dhe 5 asiste.

Për Raptors shkëlqyen sërish Kyle Lowren dhe Patrick Siakam, të cilët të dy së bashku realizuan 52 pikë, dhanë 17 asiste dhe rikuperuan 13 topa në tabelë.

Mbyllet kështu një tjetër sezon emocionues i sportit më popullor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, basketbollit, ndërsa thyhet edhe dominimi për dy vite me radhë i Golden State Warriors.