Sport

“Binjaket” nga Afrika po shkëlqejnë në futbollin kinez

Descriptive Text

Tabitha Chawinga dhe Elizabeth Addo e quajnë njëra-tjetrën “motër binjake” dhe së bashku po lundrojnë në futbollin kinez - ndërkohë që po përpiqen të aklimatizohen jashtë fushës së gjelbër në vendin e ri ku po bëjnë karrierë.

Dyshja afrikane është shumë e rëndësishme për ambiciet e ekipit të Superligës së femrave të Kinës, Jiangsu Suning, me Chawingan, që shënon gola si sulmuese dhe Addon, që ka në duar frerët e mesfushës.

Chawinga 23-vjeçare, njëherësh është edhe kapitene e Përfaqësueses së Malawit, dhe trajnerja franceze e Jiangsut, Jocelyn Precheur është e bindur se ajo është e destinuar për të prekur majat e futbollit femëror. Por për Chawingan rruga nuk ka qenë fare e lehtë për të arritur deri këtu, shkruan AFP, transmeton “Koha Ditore”.

Ajo është rritur duke luajtur futboll me djem në fshatin e saj dhe shpesh është fyer nga kalimtarët, të cilët e kanë quajtur prostitutë, duke thënë se ajo po e bën këtë vetëm për të fjetur me ata.

“Ende i kam në kokë fjalët e atyre personave që më fyenin, por tash jam e bindur se ata i kanë rënë pishman. Unë kam luajtur me djemtë për shkak se nuk kisha zgjidhje tjetër për t'u bërë futbolliste, pasi këtë sport e kam adhuruar gjithmonë”, thotë Chawinga.

Edhe Addo 25-vjeçare është kapitene e Përfaqësueses së saj, Ganës. Është shumë e qetë jashtë fushës, e në fushë është punëtore e madhe, e cila është rritur në një zonë në periferi të kryeqytetit ganez Accra, që njihet si “Qyteti i Mbijetesës”, për shkak të vështirësive të mëdha.

Krahasuar me vendet ku janë rritur lojtaret afrikane, qyteti Nanjing ku jetojnë tash dallon shumë. Që të dyja janë të lumtura që po e zhvillojnë karrierën në Kinë dhe po e shijojnë jetën në qytetin e madh që gjendet afër Shanghait. Por si lojtare të huaja në Kinë, ato e mbështesin shumë njëra-tjetrën. As Chawinga e as Addo nuk do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të femrave që nis të premten (sot), pasi si Malawi ashtu edhe Gana nuk kanë arritur të sigurojnë kualifikimin në këtë ngjarje të madhe të futbollit. Megjithatë, ato shtojnë se do t'i shikojnë ndeshjet nëpërmjet televizorit së bashku, natyrisht kur nuk kanë obligime tek ekipi Jiangsu Suning.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)