Sport

Thaçi inkurajon femrat të merren me sport, thotë se suksesin po e sjellin ato

Descriptive Text

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në manifestimin e Komitetit Olimpik të Kosovës për Ditën Botërore për Ambient dhe Sport.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media, në këtë ditë, presidenti Thaçi inkurajoi të gjitha femrat në Kosovë, që të ndjekin shembullin e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit dhe shumë sportisteve tjera që e kanë lartësuar flamurin e Kosovës gjithkund në botë.

“Ju duhet të besoni në aftësitë tuaja kreative, në përgatitjen tuaj, në mënyrë që të realizoni ëndrrat tuaja dhe aspiratat e shtetit të Kosovës për një imazh më të mirë”, u shpreh Thaçi.

Në këto 11 vjet të pavarësisë, kreu i shtetit ka thënë se sukseset më të mëdha në sport i kanë sjellë femrat, prandaj ky është një inkurajim shtesë që të vazhdohet edhe më tej me sukseset e radhës.

“Ky është një inkurajim shtesë që ju të merrni pjesë në jetën sportive dhe institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë që ju të arrini edhe më shumë suksese”, ka thënë tutje Thaçi.

Komiteti Olimpik i Kosovës, Ditën Botërore për Ambient dhe Sport sivjet ia ka kushtuar pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të femrave në sport.

{gallery}