Sport

Forca e Portugalisë: Ronaldo dhe shumë yj të rinj

Cristiano Ronaldo i ka dhënë fund qëndrimit larg përfaqësueses për t'i rritur shpresat e Portugalisë që të fitojë Ligën e Kombeve. E shpresat rriten edhe më shumë, pasi turneu final i Ligës së Kombeve organizohet në Portugali. Nis sot (e mërkurë) me ndeshjen Portugali - Zvicër (20:45) dhe mbaron të dielën me ndeshjen finale. Në gjysmëfinalen tjetër, të enjten, takohen Holanda e Anglia.

Tashmë kanë kaluar ditët kur Ronaldo ishte lojtari i vetëm te Portugalia, të cilit kundërshtarët ia kishin frikën. Ekipi i Portugalisë në radhët e veta ka edhe disa lojtarë të rinj që kohët e fundit kanë shpërthyer në skenën evropiane. Megjithatë, Ronaldo mbetet kapiteni i Portugalisë dhe padyshim lojtari më i mirë, shkruan sot Koha Ditore.

Dëshmi për këtë është konsistenca e tij në majë të skenës. Pos pesë "Topave të Artë", ka fituar tituj kampioni edhe në Angli, Spanjë e Itali, derisa ka udhëhequr Portugalinë drejt triumfit në "Euro 2016". Pas humbjes në finalen e "Euro 2004" të mbajtur në Portugali, Ronaldo ka rastin që këtë javë ta kompensojë këtë disfatë me triumfin në Ligën e Kombeve, turne inaugurues i UEFA-s.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)