Sport

Portieri malazez ia njeh cilësitë Kosovës, kërkon kujdes më 7 qershor

Përfaqësuesja e Malit të Zi, e cila më 7 qershor e pret Kosovën në Podgoricë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2020, ende është e kompletuar.

Asaj i mungojnë Stefan Saviq, Marko Simiq, Stefan Mugosha, Nebojsha Kosoviq, Sead Hakshabanoviq dhe Filip Stojkoviq, por kjo, sipas stafit të përzgjedhësit Lubisha Tumbakoviq, nuk duhet të frenojë ritmin e tyre.

Portieri i Malit të Zi, Danijel Petkoviq, tha se janë duke u përgatitur si është më së miri për t’u përballur me Kosovën.

“Jemi mbledhur tash e disa ditë, që është periudhë mjaft e gjatë dhe besoj se për pak ditë do të jemi të gjithë këtu. Mendimet janë gjithmonë të drejtuara kah rivali i radhës, që në këtë rast është përfaqësuesja e Kosovës. Ende s’kemi nisur të punojmë në pjesën taktike për sa u përket atyre, por së shpejti do të nisim të merremi edhe me këtë”, tha në një konferencë për media, portieri i Malit të Zi, Danijel Petkoviq, transmeton Koha.net.

Gardiani i portës malazeze, që mbron edhe për klubin francez Lorient, ka thënë se e respektojnë kundërshtarin e radhës, Kosovën.

“Në sytë e opinionit, përfaqësuesja e Kosovës duket si një rival i lehtë dhe fitorja e Malit të Zi nënkuptohet. Mirëpo, rezultatet e tyre, rezultatet në Ligën e Kombeve dhe në nisje të kualifikimeve ku u ndanë në barazim me Bullgarinë, tregon se kanë cilësi. Duhet të jemi maksimalisht të disiplinuar dhe të motivuar. Luajmë në terrenin tonë dhe duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë”, potencoi Petkoviqi.

Ai tha se është hera e parë që luan një ndeshje pa shikues dhe tha se është hendikep për ta.

Mali i Zi e pret Kosovën më 7 qershor në Podgoricë, ndërsa tre ditë më vonë shkon në Çeki. Kosova më 10 qershor i shkon Bullgarisë.