Sport

Me kë do të përballet Feronikeli në start të rrugës për “Champions”

Feronikeli, si kampion i ri i Kosovës, në fund të muajit qershor do të nisë rrugën për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

Ekipi nga Kosova edhe këtë vit do të nisë këtë rrugë nga faza parakualifikuese. Në turneun, që këtë herë do të luhet në Kosovë, do të përballen kampioni i Kosovës, Feronikeli, kampioni i Andorrës, ai i San Marinos dhe Gjibraltarit.

Nga kjo fazë, Feronikeli deri tash i di emrat e vetëm dy rivalëve. Ato janë Lincoln Red si kampion i Gjibraltarit dhe Santa Coloma që është kampione e Andorras. Kampioni i San Marinos akoma nuk është caktuar. Në finalen e play-offit në këtë kampionat janë La Fiorita dhe Tre Penne.

Në raundin preliminar, ekipet ndahen në dy vazo. Më pas do të luhen ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja. Tre humbësit do të luajnë në raundin e dytë kualifikues në Ligën e Evropës, ndërsa fituesi shkon në rrethin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Paraeliminatoret do të luhen nga 20 deri më 27 qershor.

Vitin e kaluar, ky rreth i garës së “Championsit” u zhvillua në Gjibraltar, dhe kampionia e Kosovës Drita e mbylli atë me sukses, duke kaluar në rrethin e parë kualifikues, ku më pas u eliminua nga suedezët e Malmos.