Sport

Feronikeli kampion i Kosovës në futboll

Feronikeli ka mposhtur minimalisht Prishtinën në xhiron e fundit të sezonit në Superligën e Kosovës për të fituar titullin e kampionit.

Ekipi nga Drenasi fitoi 1 me 0 me një gol të Ylli Hoxhës në minutën e 72-të.

Feronikeli bëhet kampion me 80 pikë, pesë më shumë se Prishtina që mbetet nënkampion.

Ky është titulli i tretë i kampionit për Feronikelin.


’90 – Pesë minuta shtesë.


’83 – Astrit Thaqi futet në lojë. Zëvendëson Albutrint Morinën.


’80 – Mevlan Zeka inkuadrohet te Feronikeli. Zëvendëson Kastriot Rexhën.


’79 – Ndërpritet ndeshja për pak sekonda për shkak të mjeteve piroteknike në fushë.


’76 – Prishtina lëshohet krejtësisht në sulm. Tash i duhet të shënojë dy herë, për të fituar titullin.


’72 – GOL. Feronikeli në epërsi. Festë e madhe në “Rexhep Rexhepi”. Nga një gjuajtja e lirë harkoi Hoxha, e topi përfundoi në rrjetën e mysafirëve.


’71 – Prishtina me dy sulmues në fushë. Inkuadrohet Jasharovski në vend të Ergyn Ahmetit.


’69 – Rexha mbetet i shtrirë në fushë. Kërkon ndihmën mjekësore.


’68 – Gjuan Hoxha, goditja pritet nga Bekaj.


’67 – Faulohet Rexha. Gjuajtja e lirë për Feronikelin afër zonës së Prishtinës.


’60 – 30 minuta lojë deri në fund. Rezultati aktual e shpall kampion Feronikelin.


’57 - Argjend Mustafa inkuadrohet në fushë te Prishtina. Zëvendëson Jamal Aragon.


’55 – Prishtina arrin të largojë topin prej zonës.


’53 – Një pasiguri nga Dallku i jep rivënie këndore vendasve. Do të harkojë Hoxha.


’51 – Mërgim Pefqeli zëvendëson Mario Morinën te Prishtina.


’49 – Tjetër mundësi për Feronikelin. Bekaj arrin të grushtojë topin pas një rivënie këndore të ekipit nga Drenasi.


’48 – Bashiru i Prishtinës shkakton ndërhyrje të palejuar. Feronikeli synon të rrezikojë nga gjuajtja e lirë. Hoxha harkon, por topi largohet nga mbrojtja mysafire.


’46 - Nis pjesa e dytë në Drenas.


Përfundon pjesa e parë me rezultat 0 me 0. Në 45-minutëshin e parë asnjëra skuadër nuk pati ndonjë rast të mirë për gol. Pjesa e dytë do të jetë vendimtare për titullin e kampionit të Kosovës. Me barazim, Feronikeli shpallet kampion.


’45 – Tre minuta shtesë në pjesën e parë.


’42 – Ka ardhur goditja e parë në kuadratin e portës. Da Silva gjuan nga një pozitë e vështirë prej anës së djathtë, por në vendin e duhur u gjend portieri i Prishtinës, Bekaj.


’38 – Dy lojtarë të shtrirë në fushë pas një përplasjeje që patën. Babiqaj dhe Khalid mbetën të shtrirë dhe gjyqtari Nuza u detyrua të thërrasë ndihmën mjekësore për lojtarët. Të dy vazhdojnë ndeshjen.


’36 – Rexha nuk arrin të godasë mirë pas një harkimi në zonë. Gjuajtja e tij përfundon pak metra larg portës.


’33 – Gjyqtari Nuza ia tërheq vërejtjen trajnerit të Feronikelit, Zekirja Ramadani për reagimet që po bën.


’30 – 30 minuta lojë në Drenas. Rezultati mbetet 0 me 0, rezultat që e shpall Feronikelin kampion.


’28 – Rivënie këndore për Prishtinën. Harkon Thaçi, por pas një tollovie topi largohet nga vendasit.


’27 – Ndëshkohet me të verdhë sulmuesi i Feronikelit, Kastriot Rexha, pas përplasjes që pati me Armend Dallkun. Në përballjen e tretë mes dy lojtarëve, kjo i kushtoi me të verdhë Rexhës.


’24 – Bekaj gabon. Mendurim Hoti mori topin afër zonës, por nuk arrin të tregohet konkret nga një gjuajtje prej krahut të djathtë.


’22 – Korner për vendasit. Hoxha harkon, por Bekaj kontrollon me sukses topin.


’19 – Feronikeli kërkon penalti pas rrëzimit të Kastriot Rexhës në zonën e 16-metërshit. Nuza nuk mendon ashtu.


’12 – Qetëson gjakrat gjyqtari Nuza. Përplasje patën Prekazi i Feronikelit e Morina i Prishtinës. S’ka të ndëshkuar.


’11 – Tensione në fushë. Përplasen lojtarët e dy skuadrave.


’10 – Kanë kaluar dhjetë minuta lojë në ndeshjen vendimtare për titull. Rezultati mbetet ai i fillimit.


‘8 – Asnjëra skuadër akoma s’ka arritur të rrezikojë shumë kundërshtarët. Feronikeli dominoi në fillim të ndeshjes.


Ka nisur në “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ndeshja Feronikeli – Prishtina, e vlefshme për xhiron e fundit të sezonit në Superligë, e që do të përcaktojë kampionin e ri.

Teksa Feronikelit i mjafton edhe një barazim, Prishtina duhet të fitojë patjetër për të kthyer titullin në kryeqytet.

Ekipet startojnë me këto formacione:

Image

Stadiumi është mbushur plot, një orë para se të niste ndeshje. Ndeshja ishte shtyrë për 15 minuta, për shkak se deri në momentin e fundit nuk dihej kush do të gjykonte përballjen. Këtë ndeshje do ta gjykojë gjyqtari i njohur Genc Nuza.