Sport

Celta ka respekt për Unitedin por nuk i frikësohet

Trajneri i Celta Vigos, Eduardo Berizzo, ka insistuar se ekipi i tij nuk do t’i frikësohet Manchester Unitedit në gjysmëfinalen e Europa Ligës, por se do të respektojë ekipin e Jose Mourinhos.

Edhe pse Vigo është në pozitën e 11 në La Liga, ekipi spanjoll ka mposhtur Barcelonën tre vjet rresht dhe dy herë ka realizuar nga katër gola kundër kampionit aktual të Spanjës në përballjet e zhvilluara në Estadio Balaidos.

“Më shumë se frika, Manchester Unitedi do të respektohet”, ka thënë 47-vjeçari. “Në këtë garë kemi luajtur ndaj ekipeve shumë të forta dhe Manchester Unitedi përfundimisht është njëra prej tyre”.

“Kam respekt për Jose Mourinhon. Fatmirësisht nuk janë trajnerët në fushë. Ne u ndihmojmë lojtarëve duke i inkurajuar dhe duke u dhënë forcë për të ardhmen dhe kjo shpresoj të ndodh sonte”.