Sport

Stinori vendoset me një superfinale

Afro 10 mijë shikues ishin të shtunën në stadiumin "Fadil Vokrri" në derbin e madh mes Prishtinës e Llapit. Shumë shikues, aq sa stadiumi të mos i zërë, priten në ndeshjen e xhiros së fundit (33) mes Feronikelit e Prishtinës, që do të luhet në stadiumin "Rexhep Rexhepi" në Drenas, fundjavën e ardhshme. Ajo ndeshje, ajo superfinale, pritet të vendosë për titull të kampionit të Kosovës në futboll.

Prishtina të shtunën fitoi 1:0 derbin ndaj Llapit me gol të Mërgim Pefqelit në minutat e fundit. Feronikeli, ashtu si pritej, fitoi ndaj Dritës me rezultatin bindës, 4:1. Dhe në dy xhirot e fundit garën për titull do ta zhvillojnë Feronikeli e Prishtina. Feronikeli prinë në tabelë me 74 pikë, ndërsa Prishtina është e dyta me 72 pikë. Llapi ka humbur hapin me disfatën në derbi. Renditet i treti me 69 pikë, shkruan sot Koha Ditore.

Në fazën përfundimtare, kur jo të gjitha ndeshjet dhe jo të gjitha skuadrat kanë korrektësinë e synuar, gara për titull po shkon drejt vendosjes në sfidën e dy skuadrave kryesore të edicionit.

FFK-ja ka njoftuar se xhiroja e parafundit (32) luhet të mërkurën e të enjten, me ndeshjet derbi të mërkurën. Feronikeli do të ketë punë të vështirë ndaj Llapit në Podujevë, ndërsa Prishtina llogarit në pikë të plota në ndeshjen në shtëpi ndaj Trepçës '89. Varet nga ndeshjet e së mërkurës se në çfarë situate do të futen në superfinale Feronikeli e Prishtina. Nëse të dy skuadrat fitojnë të mërkurën, atëherë në fund Feronikelit i mjafton barazimi. Përparësia prej dy pikëve vlerësohet jo e vogël kur kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro deri në fund.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)