Sport

Batatina shpërthen në akuza pas humbjes nga Prishtina

Llapi ka pësuar sot humbje në ndeshjen derbi ndaj Prishtinës, me rezultat minimal 1-0.

Me këtë humbje skuadra llapjane zbeh dukshëm shpresat për titullin e kampionit, pasi që tanimë mbetet 5 pikë larg liderit Feronikelit dhe 3 më pak se Prishtina.

Pas ndeshjes trajneri i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina shpërthye me akuzat ndaj gjyqtarëve dhe Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sipas tij në këtë ndeshje skuadra e tij u dëmtua shumë dhe për të gjithë këtë fajin e ka kryetari i FFK-së, Agim Ademi me bashkëpunëtorët e tij, transmeton KP.

“Mendoj që nuk shkoi për arsye se Llapi nuk mund të luajë ndaj 14 ose 16 personave në fushë. U vërejt që sot prej fillimit ka qenë një referim skandaloz, do të thotë është vërejt qysh kur penalltia nuk është akorduar. Veliu është bërë për spital, në gjendje kritike, ndërsa arbritrat nuk akordojnë as karton. Do të thotë çfarë komenti tjetër duhet me i jep kësaj ndeshje. Është vërejtur qartë se në pjesën e parë arbritrat shpërndanin kartona te skuadra ime për ta futur në frikë dhe me çdo kusht u munduan siç është mësuar Prishtina me fitu me një gol në fund, pa asnjë lojë dhe pa asnjë kreativitet. Prishtina nuk e meriton të bëhet kampion dhe nuk besoj që do të bëhet kampion pasi që me zor nuk mund të bëhesh kampion”, u shpreh Batatina.

Javën e ardhshme Llapi do të ndeshet me skuadrën e Feronikelit në stadiumi Zahir Pajaziti në Podujevë.