Sport

Guardiola sërish e huazon Aro Muriqin, dëshiron që ai të përfitojë sa më shumë përvojë

Foto: Reuters

Pep Guardiola ka vendosur ta dërgojë në huazim portierin Aro Muriq pas kthimit të tij emergjent në Manchester City.

Muriqi, 20 vjeç, u kthye para kohe nga huazimi i tij në NAC Breda në Holandë pas lëndimit të portierit të dytë të Cityt, Claudio Bravo, raporton "The Sun".

Por ai do të lejohet sërish të përfitojë përvojë sezonin e ardhshëm.

Përfaqësuesi i Kosovës ka qenë zëvendësues i Edersonit. Dhe ai luajti në ndeshjet në Kupën EFL deri në finale, kur City edhe e fitoi kupën e parë të këtij sezoni, transmeton Koha.net.

Paraqitja e tij në City është vlerësuar shumë nga Guardiola dhe stafi i tij, të cilët e lartësojnë atë. Dhe ata do ta huazojnë atë sezonin e ardhshëm në mënyrë që të ketë sa më shumë paraqitje në ekip të parë tani që Bravo është kthyer në stërvitje pas lëndimit afatgjatë në thembër.

Bravo, 36 vjeç, ka edhe një vit kontratë me Cityn. Ai ishte portier i dytë pas Edersonit edhe para lëndimit.

City i shkon Brightonit të dielën dhe fitorja do t’ua sigurojë titullin e dytë me radhë.

Ata janë një pikë përpara Liverpoolit, të cilët e presin Wolvesin në Anfield të dielën, dhe “Të kuqtë” shpresojnë për një befasi mes Cityt dhe Brightonit në mënyrë që të sigurojnë titullin e parë pas 29 vjetësh.