Sport

Ademi fton bashkatdhetarët të veprojnë në frymën kombëtare si Hadërgjonaj

Pasi ylli i futbollit Florent Hadërgjonaj iu bashkëngjit Kosovës në futboll, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka ftuar të gjithë bashkatdhetarët që të veprojnë njëjtë.

Në një mesazh pas këtij vendimi, Ademi ka ftuar talentët kosovarë nëpër Evropë që të veprojnë njësoj si Hadërgjonaj.

“Ftoj edhe një herë të gjithë talentet tonë kudo që janë nëpër Evropë e botë që t’i bashkohen ekipit tonë kombëtar dhe ta japin kontributin e tyre për vendin e të parëve në mënyrë që ta kemi më të lehtë realizimin e ëndrrës tonë të drejtë dhe të merituar – kualifikimin e Kosovës në ‘Euro 2020’”, ka shkruar Ademi.

Ademi ka thënë se ardhja e Hadërgjonajt te Kosova do të lehtësojë përmbushjen e objektivit për kualifikim në “Euro 2020”.

“Sot në ditën e Evropës në përpjekjet tona si shtet për integrim në Evropë, iu dha një lajm i mirë opinionit sportiv. Në fakt, sot, Kombëtares së Kosovës në futboll ju bashkëngjit edhe një Dardan, një yll i Evropës – futbollisti i shkëlqyeshëm, Florent Hadërgjonaj. Pa dyshim se ardhja e tij do të na e lehtësojë shumë përmbushjen e objektivit tonë që ta kualifikojmë Kosovën në ‘Euro 2020’. Hapin të cilin e ndërmori Florenti është hap i natyrshëm sepse ai përkundër që ishte i grumbulluar me të gjitha grupmoshat e Zvicrës, madje edhe nga Kombëtarja A, në takimin tonë të fundit ku ishim së bashku me menaxherin e tij Erdin Shaqiri, trajnerin Bernard Challandes dhe anëtarin e KE të FFK-së, Flamur Bunjaku, ishte i prerë për të luajtur për Kosovën”, ka shkruar Ademi.

Ai ka thënë se vendimi i Hadërgjonajt dëshmon edhe njëherë sa e duan bashkatdhetarët në diasporë Kosovën.

“Edhe pse Florenti është i lindur në Zvicër, ai, është rritur në frymën patriotike, duke mos harruar asnjëherë rrënjët e veta. Vendimi i marrë prej tij edhe njëherë dëshmon se sa shumë e duan bashkatdhetarët tanë Kosovën. Shumica e këtyre familjeve u detyruan ta braktisin atdheun e tyre në kohën e okupimit dhe represionit serb, si dhe për shkak të veprimtarisë së tyre kombëtare kundër regjimit të atëhershëm. Shkuarja e tyre në vendet e Perëndimit rezultoi me kontributin e tyre financiar për familjet dhe Kosovën në vitet e 90-ta, kurse tani erdhi koha që bijtë dhe bijat e këtyre bashkatdhetarëve ta përfaqësojnë Kosovën me dinjitet në futboll, duke e bërë krenar tërë kombin”, ka shkruar më tej Ademi duke shtuar falënderime për “bashkatdhetarët që rritën këto gjenerata dhe i orientuan në frymën kombëtare”.

Ademi në letër po ashtu ka falënderuar familjarët e yllit më të ri të Kosovës, në veçanti dajat e tij, ku tha se edhe u mor vendimi. Ka shprehur në veçanti falënderimin për menaxherin e Hadërgjonajt, Erdin Shaqirin.