Sport

Luftë e ashpër e Getafes, Sevillas e Valencias

Me Barcelonën që tashmë ka fituar titullin e kampiones në La Liga, fokusi kryesor në Spanjë gjatë tri xhirove të fundit do të jetë për pozitën e katërt në tabelë.

Për këtë pozitë, e fundit që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve dhe ofron një shpërblim prej 30 milionë eurosh, po luftojnë tri skuadra - Getafe, Sevilla dhe Valencia.

Pos Barcelonës, edhe dy ekipet e tjera nga Madridi, Atletico e Reali, tashmë e kanë të sigurt paraqitjen në Champions edicionin e ardhshëm, duke u renditur në pozitat dy dhe tre.

Getafe aktualisht zë vendin e katërt me 55 pikë, sa i ka edhe Sevilla në të pestin, derisa Valencia ka tri pikë më pak dhe renditet e gjashta, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Por, në rast se Valencia barazohet me pikë në fund të edicionit, do të kualifikohet për “Champions”, pasi ka bilanc më të mirë në përballjet direkte me Getafen e Sevillan.

“Ne jemi optimistë dhe do të luftojmë deri në fund për pozitën e katërt, besojmë se mund ta arrijmë”, ka thënë mbrojtësi i Valencias, Jose Gaya.

Për dallim prej Getafes e Sevillas, Valencia ka orar më të lehtë në tri xhirot e fundit, pasi përballet me Huescan, Alavesin e Real Valladolidin. Te Valencia duan të rrëmbejnë vendin e katërt për të siguruar “Championsin:, pasi rruga alternative, ajo e triumfit në Ligën e Evropës po del të jetë dukshëm më e vështirë.

Valencia pësoi humbje në ndeshjen e parë gjysmëfinale nga Arsenali me rezultatin 3:1, në Londër. Gjithashtu, Valencia gjatë këtij muaji do të luajë edhe në finalen e Kupës së Spanjës kundër Barcelonës. Valencia dy herë ka luajtur në finale të Ligës së Kampionëve (2000, 2001).

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)