Sport

Komuna me Rregullore për Palestrën e Rahovecit, merr 20 % të të ardhurave nga biletat

Descriptive Text

Kuvendi Komunal i Rahovecit ka miratuar Rregulloren Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Palestrës “Mizahir Isma”.

Sipas vendimit të Kuvendit Komunal të Rahovecit, për ndeshjet që zhvillohen në palestrën e Rahovecit nga klubet sportive lokale, 80% e të ardhurave nga biletat i merr klubi e 20% Komuna e Rahovecit, ka bërë të ditur kreu i kësaj komune, Smajl Latifi përmes një postimi në Facebook.

“Të nderuar bashkëqytetarë, pas shumë komenteve në lidhje me koston e mirëmbajtjes së palestrës sportive në Rahovec, ndjej për obligim të ju sqaroj se Kuvendi Komunal i Rahovecit, ashtu siç është praktikë në Kosovë dhe jo vetëm, pasi ka bërë palestër, ka miratuar Rregulloren për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Palestrës, që është votuar nga asamblistët pa asnjë votë kundër! Pra, Rregullorja për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Palestrës është vendim i Kuvendit Komunal të cilin ne duhet ta zbatojmë. Para miratimit të kësaj rregulloreje, janë mbajtur edhe dëgjime publike, ashtu siç i përcakton ligji”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se Ligji për Qeverisje Lokale na obligon që të rregullojmë edhe çështjen e palestrës, që është aset i Komunës. Si i tillë, shpenzimet për mirëmbajtjen e palestrës janë të mëdha dhe fondet që mblidhen nga të ardhurat shkojnë në mirëmbajtjen e palestrës.

“Kurse, në vendet e tjera që kanë palestër në Kosovë, përqindja e Komunës është edhe më e madhe. Sipas vendimit të Kuvendit Komunal të Rahovecit, për ndeshjet që zhvillohen në palestrën e Rahovecit nga klubet sportive lokale, 80% e të ardhurave nga biletat i merr klubi e 20% Komuna e Rahovecit. Ndërsa, për reklamat lëvizëse, të gjitha të hyrat, pra 100% i merr klubi që i siguron reklamat! Për reklamat në objekt të palestrës ka pasur edhe 30% ulje të çmimit nga çmimi paraprak i propozuar. Gjithashtu, në rast të organizimit të ndonjë koncerti, 70% të të hyrave i merr organizatori e 30% Komuna, ndërsa, koncertet humanitare janë sigurisht falas”, ka bërë të ditur Latifi.

Sipas tij edhe këto të hyra, të cilat do të shkojnë të gjitha për mirëmbajtjen e palestrës nuk do të mjaftojnë, por Komuna do të sigurohet që palestra gjithmonë të jetë në funksion dhe gjendje optimale.

“Komuna e Rahovecit është e përkushtuar që të ndihmojë vazhdimisht edhe palestrën, edhe klubet sportive, gjë që është dëshmuar me finalizimin në kohë rekorde të palestrës dhe me rritjen e fondeve të ndara për klubet nga Komuna (shuma më e madhe e ndarë ndonjëherë) dhe ju sigurojmë se do të vazhdojmë të jemi pranë klubeve në çdo kohë, me të gjitha mundësitë”, ka shkruar ai.

Koha.net ka tentuar të kontaktojë edhe me kreun i KB Rahovecit, Bekim Hoxha, por i njëjti nuk ka hapur telefonin.