Sport

Prishtina e Rahoveci me nga një fitore larg finales së madhe në basketboll

KB Prishtina e KB Rahoveci kanë shënuar edhe fitoret e dyta në gjysmëfinalet e “play-offit” në basketboll.

Prishtina e mposhti Bashkimin me rezultat 97-88, transmeton Koha.net.

Më meritori për këtë fitore të Prishtinës ishte Divine Myles që shënoi 30 pikë, pati 9 kërcime e 6 asistime.

Gjersa te Bashkimi më i miri në parket ishte Jordan Capps me 29 pikë, e 6 kërcime.

Në ndeshjen tjetër Rahoveci shënoi fitore sërish në udhëtim ndaj Golden Eagle Yllit.

“Vreshtarët” sërish shënuan fitore të ngushtë me diferencë prej 2 pikësh, por që vetëm edhe me një fitore siguron kualifikimin në finale.

78-80 ishte rezultati final i takimit të sotëm të zhvilluar në palestrën “13 Qershori”.

Fredrik Richardson shkëlqeu në këtë fitore të Rahovecit duke shënuar 25 pikë, e duke bërë 3 kërcime.

Kurse te Ylli më efikasët ishin Holloman e Osby që shënuan nga 20 pikë.

Prishtinës e Rahovecit u duhen vetëm edhe nga një fitore për të siguruar plasmanin në finale.