Sport

Portland eliminon Oklahoman, kualifikohen edhe Toronto dhe Philadelphia

Tri skuadra kanë siguruar kalimin tutje në play offin e NBA.

Toronto Raptors, Philadelphia 76ers dhe Portland Trail Blazers, janë gjysmëfinaliste të konferencave të tyre.

Dueli më interesant ishte ai në mes të Portland Trail Blazers dhe Oklahoma City Thunder, me Blazzers që arritën të triumfonin 118-115 duke e mbyllur serinë me rezultatin 4-1.

Paraqitje prej jashtëtokësori e Damian Lillard, që shënoi plot 50 pikë. Vendimtar në fitoren e skuadrës së tij, pasi realizoi trepikëshin e fundit nga një largësi prej 11 metrash. Në gjysmëfinale të Perëndimit Blazers do të përballen me fituesin e çiftit Denver Nuggets – San Antonio Spurs.

Në Pepsi Center të Denverit, skuadra nga Colorado triumfoi 108-90 me teksanët, duke marrë kryesimin e serisë me rezultatin 3-2. Plot gjashtë basketbollistë të Nuggets arritën pikë dyshifrore, të udhëhequr nga Jamal Murray me 23 pikë, ndërsa Will Barton shtoi edhe 17 pikë të tjera.

Toronto Raptors i mbyllën në sfidën e pestë të serisë llogaritë me Orlando Magic 4-1, duke triumfuar me rezultatin 115-96. Shkëlqyen për ekipin kanadez Kawhi Leonard dhe Pascal Siakam, që realizuan respektivisht 27 dhe 24 pikë.

Në gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes Raptors do të përballen me Philadelphia 76ers, që me suksesin 122-100 ndaj Brooklyn Nets siguruan kualifikimin, duke e mbyllur serinë me rezultatin 4-1.

Më i miri për 76ers ishte Joel Embiid me 23 pikë e 13 kërcime.