Sport

Veseli e sheh Yllin në finale

Descriptive Text

Golden Eagle Ylli këtë edicion do të luajë në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll, ka insistuar lojtari i ekipit nga Suhareka, Alban Veseli.

Ylli sot prej orës 19:00 nis serinë gjysmëfinale përballë skuadrës së Rahovecit, e cila zhvillohet me sistemin 2-2-1. Dy ndeshjet e para të kësaj serie do të zhvillohen në Suharekë përpara se të bartet në Rahovec kurse ekipi që realizon tri fitore do të kualifikohet në finale, raporton Koha Ditore.

Rahoveci ka kaluar në gjysmëfinale, pasi në çerekfinale ka eliminuar Ponte Prizrenin 2:1 në seri kurse Ylli si nënkampion i pjesës së rregullt është kualifikuar direkt në gjysmëfinale.

Gjatë ndeshjeve të pjesës së rregullt, Ylli dhe Rahoveci janë përballur katër herë mes vete dhe të dyja ekipet kanë nga dy fitore të shënuara.

"Kundër Rahovecit do të jetë shumë vështirë, pasi kanë një ekip të papërshtatshme dhe këtë e kanë dëshmuar këtë edicion. Gjithashtu, kanë edhe përkrahje të madhe nga tifozët që është një shtytje e madhe në basketboll", ka thënë Veseli. "Por, pavarësisht kësaj, mendoj se kemi ekip më të mirë dhe luajmë më mirë. Bazuar në këtë, besoj fuqishëm se këtë edicion do të kalojmë në finale pa problem".