Sport

Ancelotti nuk bëri mrekulli, Napoli mbetet duarthatë

Descriptive Text

Jashtë Ligës së Evropës dhe pa trofe vendor, edicioni i parë i trajnerit Carlo Ancelotti ka përfunduar shumë larg pritjeve.

Goli i sulmuesit të Arsenalit, Alexandre Lacazette (36'), nga gjuajtja e lirë, shkatërroi ëndrrën e Napolit dhe bëri që komplet stadiumi “San Paolo” të bjerë në dëshpërim të enjten mbrëma, shkruan AFP, transmeton “Koha Ditore”. Napoli nuk dha shenja se mund të kthehet në këtë ndeshje dhe kështu u eliminua në çerekfinale të Ligës së Evropës nga Arsenali me rezultatin e përgjithshëm 3:0.

Fyerjet dhe vërshëllimat e tifozëve italianë ishin në drejtim të pronarit të Napolit, Aurelio De Laurentiis, që ishte në tribuna dhe kapitenit Lorenzo Insigne në fushë, i cili u zëvendësua në pjesëlojën e dytë. Rreth 40 mijë tifozë vendas, filluan të lëshojnë stadiumin shumë përpara se të përfundonte ndeshja derisa një mijë tifozët e Arsenalit festonin si të çmendur.

Kjo humbje ishte një goditje e fortë për reputacionin e trajnerit Carlo Ancelotti, që e ka fituar tri herë trofeun e Ligës së Kampionëve. Ancelotti mori drejtimin e Napolit para fillimit të këtij edicioni, duke zëvendësuar Maurizio Sarrin, që në dy edicionet e fundit kishte përfunduar nënkampion i Serie A.

Ancelotti 59-vjeçar, gjatë prezantimit te Napoli, kishte premtuar rikthimin e ditëve të arta, kur legjenda argjentinase Diego Armando Maradona frymëzoi jugorët drejt dy titujve të kampionit në Serie A (1987, 1990) dhe triumfit në Kupën e UEFA-s (1989). Përderisa Napoli u eliminua në çerekfinale të Ligës së Evropës, ekipi që këtë edicion po drejtohet nga Sarri, Chelsea avancoi në gjysmëfinale të kësaj gare.

“Jo vetëm unë, por të gjithë jemi të zhgënjyer. Gjithashtu, zhgënjimi u vërejt edhe te tifozët, por edicioni ende nuk ka përfunduar. Thjesht, gjërat këtë edicion nuk shkuan sipas parashikimeve dhe më vjen shumë keq”, është shprehur Ancelotti.

Napoli e nisi edicionin në Ligën e Kampionëve, por u eliminua në fazën e grupeve për të vazhduar rrugëtimin në Ligën e Evropës. Pos eliminimit në garat evropiane, Napoli është eliminuar edhe nga Kupa e Italisë prej Milanit. Në Serie A, zë vendin e dytë në tabelë me 17 pikë më pak se Juventusi, që është lider dhe i nevojitet vetëm edhe një pikë për t'u shpallur kampion. Napoli ka prapa skuadrën e Interit që ka vetëm shtatë pikë më pak dhe mund t'ia rrezikojë edhe vendin e dytë deri në fund të edicionit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)