Sport

FFK mban seminar kundër kurdisjeve të ndeshjeve

Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Dibrani, deklaroi sot se janë maksimalisht të fokusuar në eliminimin e kurdisjeve të ndeshjeve në futboll, edhe pse e ka pranuar se parandalimi i kësaj dukurie është një gjë mjaft e vështirë.

Ai këto komente i bëri sot gjatë seminarit njëditor kundër kurdisjes së ndeshjeve, organizuar nga FFK-ja, ku morën pjesë përfaqësues të klubeve të Superligës dhe Ligës së Parë, Prokurorisë së Shtetit, policisë dhe juristë.

Ndërkohë që vazhdimisht ka akuza të skuadrave kosovare për kurdisje të ndeshjeve, i dyti i FFK-së u shpreh i vendosur për luftimin e kësaj dukurie.

“Ne do të jemi gjithnjë ata që do të punojmë dhe do të angazhohemi maksimalisht që të eliminojmë të gjitha dukuritë, të cilat janë devijante sikur edhe ajo për të cilën do të diskutojmë. Edhe ajo ka lindur me lindjen e futbollit, por për neve edhe si Federatë do të jetë obligim gjithherë me gjithë forcën dhe obligimet statutare dhe ligjore dhe gjithë këto dukuri devijante t’i eliminojmë maksimalisht sa është e mundur”, tha Dibrani.

Ndërsa, zëvendëssekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti në pika të shkurta foli rreth strukturës organizative të Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Federata e Futbollit të Kosovës është organizata e vetme në territorin e Kosovës e cila organizon dhe mbikëqyr të gjitha garat e futbollit, e pranuar në UEFA dhe në FIFA qysh nga 2016. Bazën e ligjore e ka në bazë të ligjit mbi lirinë e asociimit në organizata joqeveritare përkatësisht nenit 9 të saj, ligjit për sport të Kosovës, ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit të sportit dhe udhëzimit administrativ 02-2015”, tha Ahmeti.

Bashkim Spahiu, pjesëtar i Policisë së Kosovës, tha se policia ka një bashkëpunim të mirëfilltë me Federatën e Futbollit të Kosovës, si dhe tashmë kanë filluar edhe kontaktet me UEFA-n për një organizim të mirëfilltë të ngjarjeve sportive.

“Që nga ndeshja e parë e kombëtares së Kosovës në vitin 2014 është e organizuar dhe jep mbështetjen në organizim, planifikim, mbarëvajtje në aspektin e sigurisë në ngjarjet sportive, mirëpo edhe në ndeshjet e brendshme të cilat zhvillohen në Republikën e Kosovës, duke filluar nga Superliga e tutje, në ato ndeshje ku vlerësohet se rrezikshmëria ekziston apo ka mundësi që diçka të ndodhë, Policia e Kosovës bazuar në kërkesat të cilat i parashtrohen planifikon masat e sigurisë”, tha Spahiu.

I pranishëm në këtë seminar ishte edhe avokati i futbollit Efraim Barak, i cili në fjalën e tij hyrëse pohoi se trukimet kanë lindur më lindjen e futbollit, dhe ky fenomen është ende i pranishëm.

“Duhet të dini se korrupsioni dhe manipulimi i ngjarjeve sportive nuk është një fenomen i ri, ka raporte historike për manipulimin e rezultateve qysh edhe në garat olimpike antike. Ka një studim që tregon se nga gjobat që janë mbledhur nga atletët që kanë trukuar ngjarjet janë ndërtuar statuja jashtë stadiumeve, ku janë luajtur Lojërat Olimpike. Kurdisja e rezultatet është raportuar për shembull në Angli në kriket qysh në shekullin 19, në Shtetet e Bashkuara ka pasur manipulime shumë të mëdha në fillim të shekullit 18, disa thonë për këtë arsye është ndalur basti në disa ngjarje sportive në SHBA”, tha Barak.

Ligjëruesi William McAullife nga UEFA tha se shtëpia evropiane e futbollit vazhdimisht është duke luftuar fenomenin, por që ende nuk kanë arritur në një përfundim strategjik rreth parandalimit të tij.

“Është vështirë të flasësh për trukimin dhe kurdisjen e rezultateve të ndeshjeve. UEFA e trajton këtë temë që 10 vjet e më shumë, në mënyrë intensive, por jo vetëm kurdisjen njëjtë edhe dopingun, marrjen e steroideve, marrjen e substancave për të qenë më i shpejtë, një gjë e tillë është sikur ta tradhtosh femrën. Humbja e ndeshjeve, marrja e golave dhe të duket si një ndeshje normale sinqerisht është një gjë e vështirë”, tha McAullife.

Në Kosovë edhe pse vazhdimisht luftohet trukimi i ndeshjeve, mund të thuhet se kjo gjë sa po shkon e po bëhet më serioze, pasi vazhdimisht ka akuza të skuadrave për njëra-tjetrën për një gjë të tillë./KosovaPress