Sport

Feronikeli, Prishtina dhe Llapi, synojnë fitore të reja në garën për titull

Kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të këtij edicioni, gara për titull dhe mbijetesë po bëhet edhe më interesante.

Në luftë për titull të kampionit në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, kanë mbetur vetëm Feronikeli, Prishtina dhe Llapi, kurse pjesa tjetër, përjashtuar KEK-un, që ka rënë nga elita, janë në garë për t’i shpëtuar rënies.

Tre pretendentët për titull të kampionit, ndeshjet e tyre të javës së 27-të, do t’i luajnë të shtunën në shtëpi, me synimin për të mos gabuar, raporton KTV.

Në fakt, Feronikeli, Prishtina dhe Llapi, kanë dalë fitues edhe në dy duelet e mëhershme të këtij edicioni kundër skuadrave që do t’i kenë të përballë të shtunën, Ferizajt, përkatësisht Gjilanit dhe KEK-ut.

Lideri Feronikeli përballë do ta ketë Ferizajn, që synon mbijetesën.

Në ndeshjen e së shtunës në Drenas, “Nikli” që e ka mposhtur edhe dy herë të tjera gjatë këtij sezoni Ferizajn, nuk guxon të gabojë. Lideri vjen nga fitorja e thellë me Lirinë, që ishte fitorja e 19-të sezonale, me tri pikë më shumë se Prishtina përcjellëse.

“Bardhekaltrit” kanë një duel më të lehtë të shtunën, përballë KEK-ut, tashmë të çregjistruar nga Superliga. Në pesë fitoret e fundit të Prishtinës, është vetëm KEK-u që i ka shënuar një gol Prishtinës, me bardhekaltrit që kanë mbrojtjen më të fortë në ligë, me vetëm 9 gola të pësuar.

Duel i vështirë e pret edhe Llapin të shtunën, që do të luajë kundër Gjilanit, që po ashtu synon fitore për t’u forcuar në mesin e tabelës.

Llapjanët mbesin larg kreut pesë pikë dhe ende në garë për titull kampioni, të pamposhtur në shtatë ndeshjet e fundit, prej tyre gjashtë fitore.

Ndërkohë, të dielën do të zhvillohen dy ndeshjet tjera, ku kampionia në fuqi Drita, në Gjilan e pret Drenicën.

Drita mban vendin e katërt me 45 pikë, tetë më shumë se Drenica që është një pozitë më poshtë.

Por, dy skuadrat që gjenden poshtë në tabelë, Flamurtari dhe Liria do ta kenë përballjen e drejtpërdrejtë në luftën për mbijetesë.

Flamurtari është në vendin e nëntë me 29 pikë, kurse Liria në pozitën e parafundit me 24 pikë.

Të gjitha ndeshjet e kësaj jave do të zhvillohen nga ora 15:30.