Sport

Richardsoni III, “mbreti” i Rahovecit

Emri i tij e bën të veçantë, por basketbollisti amerikan Fred Richardson III po vazhdon të shkëlqejë te skuadra e Rahovecit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Ai këtë edicion është lojtari më efikas te Rahoveci, por edhe njëri prej më të mirëve në Superligën e Kosovës. Richardsoni thotë se është gjenerata e tretë në familjen e tij me të njëjtin emër dhe për këtë arsye pas mbiemrit mban edhe numrin III, shkruan sot Koha Ditore.

Ai thotë se edhe gjyshi e babai i tij njiheshin si Fred Richardson. “Babai im gjithashtu quhet Fred Richardson, por ai është Fred Richardson II, derisa gjyshi im është Fred Richardson I. 

Kjo më bën mua të jem Fred Richardson III dhe të ndihem shumë krenar që kam të njëjtin emër”, shprehet Richardson (201 cm). Krah-qendra ishte njëri prej amerikanëve të parë që iu bashkua skuadrës së Rahovecit, që në radhët e veta ka katër të huaj. Për Rahovecin ky është edicioni i tretë në elitën e basketbollit të Kosovës dhe ndoshta më i suksesshmi, pasi luajti në finalen e Kupës së Kosovës muaj më parë. 

Aktualisht, është në pozitën e tretë në kampionat dhe po synon të paktën të arrijë deri në finale të plejofit. Njëri prej më të merituarve për këto rezultate të Rahovecit, padyshim se është amerikani Richardson.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)