Sport

Meunier do të largohet nga PSG-ja

Mbrojtësi i krahut të djathtë, belgu Thomas Meunier do të largohet nga skuadra e Paris Saint-Germainit në fund të këtij edicioni.

Gazeta franceze "L'Equipe" ka shkruar të mërkurën se drejtuesit e PSG-së, kanë vendosur ta nxjerrin në shitje Meunierin, i cili ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon vitin e ardhshëm, transmeton Koha Ditore.

Për 26-vjeçarin, ekipi francez kërkon rreth 30 milionë euro dëmshpërblim. Meunier këtë edicion ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar shtatë herë në 28 paraqitje për Parisin në të gjitha garat.

Ai është pjesë e klubit prej vitit 2016 kur u transferua nga Brugge për gjashtë milionë euro. Meunier gjatë afatit kalimtar të janarit ishte pranë transferimit te Evertoni, por PSG-ja bllokoi gjithçka në momentet e fundit.