Sport

Reagimet dhe golat nga përballja Llapi – Liria

Llapi ka shënuar fitore përballë Lirisë me rezultat 2:0, në “Zahir Pajaziti” në Podujevë, pa praninë e shikuesve, për shkak të suspendimit të terrenit nga Komisioni Disiplinor i FFK-së.

Por, kjo nuk i pengoi disa tifozë të cilët e shikuan ndeshjen nga disa vende interesante.

Në pjesën e parë, të dyja skuadrat luajtën me një kujdes të shtuar, çka bëri që të ketë pak raste shënimi, raporton KTV.

Ndërkaq, fitoren, llapjanët e arritën në pjesën e dytë, duke shënuar dy gola për tri pikë të rëndësishme që i mbajnë në garë për vendin e dytë.

Të parët që rrezikuan seriozisht, ishin prizrenasit në minutën e 38-të, por Fetahaj e Osmani, nuk arritën të shënojnë, madje, kërkuan edhe penallti në këtë rast, por gjyqtari Genc Nuza, vlerësoi se gjithçka ishte në rregull.

Vendasit, të cilën patën një dominim të lehtë ne 45 minutat e parë, 5 minuta para fundit shumë lehtë kanë mundur të shkojnë në pushim me epërsi.

Por, në dy raste që patën, Jashari e Namani, nuk arritën të shënojnë dhe kështu skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë.

Pjesa e dytë ishte vendimtare për vendasit, të cilët shënuan dy gola për ta fituar ndeshjen.

Në minutën e 54-të, Mirlind Daku shënoi për epërsinë e parë të llapjanëve, pas asistimit milimetrik të Bujar Idrizit.

Liria u mundua të gjejë golin e barazimit dhe 15 minuta para fundit, Memaj dhe Guraziu, patën raste të mira, por asnjëri nuk arriti të shënoi.

Në anën tjetër, Llapi shumë lehtë ka mundur ta mbyllë çështjen e fituesit në minutën e 77-të, por gjuajten e Valon Zeqirit, e priti portieri Armend Ruxhi.

12 minuta para fundit të ndeshjes, Egzon Sinan i Llapit, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga ndeshja.

Por, edhe përkundër një lojtari më shumë në fushë, prizrenasit nuk arritën të gjejnë golin e barazimit.

Madje, në minutën e 89-të, Llapi e gjeti edhe golin e dytë dhe të fundit në këtë ndeshje, me autorë, Kushtrim Shabani, i cili hyri në lojë në pjesën e dytë.

Në javën e 29-të, Llapi luan derbin si mysafir i Prishtinës, ndërkaq Liria e pret Dritën në Prizren në ndeshjen vendimtare për mbijetesë.