Sport

Basketboll, Rahovecit i takon derbi

Descriptive Text

Rahoveci ka pasur një çerek të tretë thuajse perfekt për të bërë kthim të madh dhe për të fituar derbin e xhiros së 25-të të Superligës në basketboll. Të dielën në Rahovec, skuadra me të njëjtin emër e mposhti Trepçën me rezultat 82:66.

Pas çerekut të dytë Trepça kishte epërsi prej 45:34. Por më pas në çerekun e tretë vendësit dominuan plotësisht, duke e fituar këtë periudhë me 30:4, shkruan “Koha Ditore”. Në çerekun e fundit skuadra e Bujar Locit vetëm konfirmoi fitoren. Frederic Richardson realizoi 25 pikë e 9 kërcime për Rahovecin, ndërsa Deshon Minnis kishte 23 pikë e 11 asistime.

Te Trepça më efikasi ishte Samir Zekiqi me 15 pikë. Rahoveci është i treti me 41 pikë, ndërsa Trepça e gjashta me 35 pikë. Me shumë mundësi këto dy skuadra do të përballen mes vete edhe në çerekfinale të plejofit. Edhe në ndeshjet tjera u arritën rezultate të pritura.

Kështu Z Mobile Prishtina fitoi ndaj kampionit në fuqi, Bashkimit me shifrat 102:91. Golden Eagle Ylli e mposhti Ponte Prizrenin me 88:83 kurse Lipjani fitoi ndaj AFK Borea me 150:54. Prishtina prin me 50 pikë, para Yllit që i ka 43.

Ponte Prizreni është i katërti me 37 pikë, sa i ka edhe Bashkimi në vend të pestë. Lipjani renditet i shtati me 29 pikë, kurse Borea është e fundit me 27 pikë.