Sport

Festë e “çmendur” e Xhakës dhe Baselit për titullin

Kampion për të tetin vit radhazi. Baselit i mjaftoi fitorja 2-1 në fushën e Lucernës për të fituar matematikisht titullin gjashtë javë përpara mbylljes së Superligës zvicerane.

20 tituj në total për Baselin, ndërsa feston edhe mesfushori kuqezi Taulant Xhaka, që ka meritën e tij në vendosjen e yllit të dytë mbi stemën e skuadrës.

Edhe pse është vetëm 26-vjeçar, Taulant Xhaka festoi titullin e pestë me Baselin. Titullar absolut dhe luftëtar në fushë, në një skuadër pa rivalë në elitën e futbollit zviceran, transmeton Supersport.

“Ishte e vështirë, por jam i lumtur që fituam sërish dhe ketë vit. Çdo herë është gjithmonë e bukur”, ka thënë ai.

Pas festimeve në fushë me tifozët dhe në dhomat e zhveshjes, entuziazmi u spostua në sheshin qendror të Baselit, ku skuadra u prit nga mijëra mbështetës, që krijuan një atmosferë elektrizuese.

Këngë, flakadanë dhe përshëndetje për idhujt e skuadrës, që kanë qepur edhe yllin e dytë në fanellë dhe tashmë presin vetëm dorëzimin formal të trofeut për të vijuar festën e një dominimi absolut në Superligën zvicerane.